John Davidson, aktivist për sindromën Tourette, i përfshirë në polemikën e fundit gjatë ceremonisë së çmimeve BAFTA, ka deklaruar se organizatorët dhe BBC “duhej ta dinin se çfarë të prisnin” nga sindroma Tourette dhe se i ishte garantuar paraprakisht që çdo fjalë fyese do të hiqej nga transmetimi.
Në një intervistë për Variety, Davidson tha se BAFTA e kishte siguruar se “çdo sharje do të editohej nga transmetimi”. Ai shtoi se ka realizuar katër dokumentarë me BBC-në dhe, sipas tij, transmetuesi duhej të kishte marrë masa më të forta për të parandaluar që tike të pavullnetshme – të thëna nga një vend i largët në sallë – të përfshiheshin në program. Edhe StudioCanal, mbështetës i filmit I Swear (i frymëzuar nga jeta e Davidson), konfirmoi se kishte marrë të njëjtin premtim nga BAFTA.
Davidson kujtoi gjithashtu se pranë vendit të tij kishte një mikrofon dhe, me kalimin e kohës, ka vënë në dyshim mençurinë e vendosjes së tij kaq afër. Ai ishte i pranishëm në ceremoni pasi I Swear ishte nominuar për disa çmime; gjatë mbrëmjes u dëgjuan disa thirrje prej tij dhe ai u largua para përfundimit.

BBC dhe BAFTA janë kritikuar ashpër pasi, pavarësisht transmetimit me dy orë vonesë, nuk u hoq një thirrje e dëgjueshme fyese ndërsa në skenë po prezantonin çmimin Michael B Jordan dhe Delroy Lindo. Davidson tha se ndjeu “një valë turpi”, duke sqaruar se tiket e tij neurologjike mund ta bëjnë të thotë ose të bëjë gjëra pa asnjë qëllim apo bindje personale pas tyre.
“Nuk mund ta shpjegoj sa i tronditur dhe i dëshpëruar jam teksa kuptoj ndikimin e asaj që ndodhi,” tha ai, duke theksuar se tiket “nuk janë zgjedhje, nuk janë qëllim dhe nuk pasqyrojnë vlerat e mia”.
Sipas Variety, Davidson ka kontaktuar Warner Bros. për t’u kërkuar personalisht falje Jordan-it, Lindo-s dhe dizenjatores së produksionit Hannah Beachler, e cila tha se kishte dëgjuar gjithashtu një fyerje të drejtuar ndaj saj.
Davidson kërkoi që raportimet të pasqyrojnë se gjatë mbrëmjes ai kishte tikur disa fjalë fyese të ndryshme, jo vetëm një të vetme, duke pranuar njëkohësisht peshën historike dhe shoqërore të disa prej tyre.
Ai dha edhe një shembull tjetër: gjatë një batute nga prezantuesi Alan Cumming rreth Paddington Bear, Davidson tha se pati tike homofobike dhe bërtiti një fjalë tjetër fyese, e nxitur – sipas tij – nga fakti që Paddington është personazh për fëmijë.
Pasojat kanë qenë të mëdha: BBC dhe BAFTA kanë kërkuar falje publike; BAFTA ka njoftuar një rishikim të plotë të procedurave; gjyqtari i BAFTA-s Jonte Richardson ka dhënë dorëheqjen duke e quajtur menaxhimin e incidentit “tërësisht të pafalshëm”; ndërsa Warner Bros ka deklaruar se kishte paralajmëruar të dy institucionet, pa u marrë masa të mjaftueshme. /GazetaExpress/