Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka zgjidhur ngërçin politik në Kuvend as 10 ditë pas shpalljes. Asaj, PDK-ja dhe LDK-ja i janë drejtuar sërish, ndërsa nga partia tjetër, AAK-ja, vijnë thirrje për votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, si mënyrën për të dalë nga kjo situatë dhe për t’i lëshuar rrugë insistimit të LVV-së në këtë.
Gazeta Express
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta çojë në të njëjtin drejtim seancën konstituive të Kuvendit, me insistimin për votim të fshehtë dhe pretendimin se Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë për këtë.
Partia e Albin Kurtit thotë se aktgjykimi i Kushtetueses, i shpallur më 26 qershor, lejon edhe votim të fshehur, gjë të cilën po vazhdon ta propozojë pa sukses në Kuvend çdo dy ditë. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e thonë të kundërtën – se aktgjykimi konstatoi se votimi duhet të bëhet hapur.
Situatën nuk e ka ndryshuar as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.
PDK-ja i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik, pasi konsideron se LVV po refuzon ta zbatojë aktgjykimin dhe po bën shkelje të reja kushtetuese.
Sipas PDK-së, kërkesa ndaj partive politike për të propozuar anëtarë për krijimin e një komisioni për votim të fshehtë, hedhja në votim e tij, votimi dhe ndërprerja e seancës pas mosmiratimit janë veprime “në kundërshtim të hapur me Kushtetutën” dhe aktgjykimin e fundit.
Edhe LDK-ja i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit. Partia më e vjetër në vend beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë me Kushtetutën” dhe aktgjykimin e fundit.
Kushtetuesja ka 60 ditë kohë për t’iu përgjigjur këtyre dy kërkesave, por PDK-ja dhe LDK-ja shpresojnë se ajo do të kthejë përgjigje para 26 korrikut, deri kur Gjykata ka thënë se duhet të bëhet konstituimi i Kuvendit.
Berisha kërkon të votohet Haxhiu për të dalë nga situata
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, pas ndërprerjes së seancës konstituive për herë të 43-të sot, u bëri thirrje kolegëve nga partitë tjera që ta votojnë propozimin e LVV-së për ta zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare të Kuvendit.
“Le t’ia japim këtij këtë fitore. Le ta bëjmë Kuvendin. Le ta qetë Albulenën se kurrgjë nuk janë më të mirë këta të tjerët se ajo”, tha ai.
Berisha po e mban këtë qëndrim qe disa ditë, ku ka kërkuar që të zgjidhet ky opsion si “rrugëdalje” dhe “reflektim”.
“Duhet me e krye këtë punë se u bë bajat”, tha ai të shtunën.
Presidentja Vjosa Osmani javën e kaluar është takuar me udhëheqësit e partive politike për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit. Ajo pret që “partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”.
Në një intervistë për Gazetën Express, ish-Kryetari i Gjykatës kushtetuese, Enver Hasani ka theksuar aktgjykimi i fundit i Kushtetueses “është i ndrojtur dhe nuk i ka shkuar deri në fund zgjidhjes së ngërçit”.
Ai ka thënë se “opozita” kishte bazë për të dërguar lëndë të re dhe se Kushtetetueses me këtë rast do t’i duhej ta përmirësojë veten.
“Për rrjedhojë, çdo vendim tjetër për të njëjtën çështje e vë në siklet Gjykatën Kushtetuese, sepse do të duhej të korrigjojë vetveten brenda një afati të shkurtër”, ka thënë Hasani.
NJOFTIM PËR TË GJITHË KREDITORËT DHE PRONARËT E NDËRMARRJEVE TË VENDOSURA NË PROCESIN E LIKUIDIMIT NGA AGJENCIA KOSOVARE E...