Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet F.R. dhe J.M., të dy nga Ferizaj, për veprën penale “vrasje e rëndë”, e paraparë në nenin 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në parkingun e restaurantit “Fron Palace” në fshatin Bibaj të Ferizajt, gjatë një ceremonie martesore, i pandehuri F.R. ka qëlluar me breshëri plumbash viktimën S.S., duke e lënë të vdekur në vend. Sipas Prokurorisë, ai ka vepruar me paramendim dhe me qëllim hakmarrjeje për motive të pretenduara familjare, të cilat nuk janë konfirmuar juridikisht. Sulmi është kryer në prani të shumë personave, përfshirë edhe të mitur, dhe është përdorur një armë automatike zyrtare e policisë.
Ndërkohë, i pandehuri J.M. akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e krimit duke mbrojtur vendin e ngjarjes me një sqepar në dorë, me qëllim që të mos lejonte ndërhyrje gjatë aktit të vrasjes.
Prokurori i rastit ka kërkuar nga gjykata që pas administrimit të provave dhe shqyrtimit gjyqësor, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen konform ligjit./BetimipërDrejtësi/