Aktakuzë ndaj një personi, dyshohet se pa diplomë e ushtroi mbi 8 vjet profesionin e mjekut në dy ordinanca në Ferizaj - Gazeta Express
string(117) "aktakuze-ndaj-nje-personi-dyshohet-se-pa-diplome-e-ushtroi-mbi-8-vjet-profesionin-e-mjekut-ne-dy-ordinanca-ne-ferizaj"

Lajme

Gazeta Express

30/06/2025 18:04

Aktakuzë ndaj një personi, dyshohet se pa diplomë e ushtroi mbi 8 vjet profesionin e mjekut në dy ordinanca në Ferizaj

Lajme

Gazeta Express

30/06/2025 18:04

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një personi nën dyshimin se ka ushtruar profesionin e mjekut pa diplomë të Fakultetit të Mjekësisë.

A.R. nga Ferizaj po dyshohet për veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”,  “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se A.R., nga data 4 korrik i vitit 2016 deri më 10 dhjetor të vitit 2024 në Ferizaj, në ordinancat “Almed” dhe “Almedica”, ka dhënë trajtime mjekësore dhe shërbime farmaceutike pa pasur kualifikimet profesionale dhe autorizime ligjore.

Ai dyshohet se ka paraqitur diplomë të rrejshme, duke pretenduar se e ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës.

Në aktakuzë thuhet se ai nuk ishte fare i regjistruar si student në Universitetin e Tiranës dhe duke përdorur dokumente false themeloi ordinancën “Almed” dhe më pas e riregjistroi të njëjtën veprimtari në emër të djalit të tij, ordinancën “Almedica”, ku kishte vazhduar të ushtronte veprimtari mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, duke u paraqitur si mjek i diplomuar, ku përshkruante terapi dhe përdorte titullin internist-endokrinolog.

Ai madje përkundër se i ishte ndaluar puna nga Inspektorati Shëndetësor, i kishte larguar shenjat zyrtare dhe kishte vazhduar punën.

“Ai ka ofruar shërbime shëndetësore si mjek i përgjithshëm pa poseduar licencë valide nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe ka disponuar barna me afat të skaduar, ndërsa me datë 30.05.2025, përkundër faktit që Inspektorati Shëndetësor ka vendosur shenjat zyrtare për ndërprerje të punës, deri në pajisje të licencës nga Ministria e Shëndetësisë, i pandehuri heq shenjën zyrtare me qëllim të vazhdimit të veprimtarisë së kundërligjshme mjekësore, me të cilën ka kryer veprat penale ‘Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’ nga neni 256 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ nga neni 390 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, dhe ‘Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave’ nga neni 406 i KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.