Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave për “Pjesëmarrje në turmë”, “Huliganizëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Bëhet fjalë për S.S., I.V., M.V., M.R., N.M. dhe A.L..
Ata dyshohet se më 13 tetor të vitit 2021 kanë goditur me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dore, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe Doganës, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm.
Sipas aktakuzës “ata kishin zënë pritë policisë në vendin e ngjarjes duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara të policisë janë goditur me plumba nga të shtënat me armë zjarri dhe me granata dore. Si pasojë, B.A., E.V. dhe S.A., pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë pësuar lëndime trupore”.
“Në të njëjtën ditë, të pandehurit I.V., M.V. dhe M.R., në lagjen “Berxhane”, kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe doganorë me bombola gazi, e me armë zjarri në drejtim të tyre dhe të automjeteve zyrtare. Turma e personave është drejtuar drejt një barnatore, ku janë lënduar zyrtarët policorë M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M, dhe është shkaktuar dëm në vlerë mbi 20,000 euro.”