Aksionet e gjigantit të prodhimit të aeroplanëve Boeing kanë rënë me gati 8%, pas rrëzimit të avionit të tipit Boeing 787-8, Dreamliner i kompanisë Air India, me 242 persona në bord.
Mediat e huaja shkruajnë se ky model, një ndër më modernët në transportin ajror, ishte një nga shpresat e Boeing për të rikthyer besimin e publikut, pas një sërë incidentesh katastrofike që kanë rënduar imazhin e kompanisë ndër vite.
Kujtojmë se edhë më parë, dy aksidente fatale të avionëve Boeing MAX 8 – fluturimi i Lion Air në Indonezi në vitin 2018 dhe ai i Ethiopian Airlines në vitin 2019 – ndodhën pak minuta pas ngritjes dhe hetimet zbuluan se shkak ishte bërë një softuer në defect që shtynte hundën e avionit poshtë, duke e bërë të pamundur për pilotët kontrollimin e fluturimit.
Edhe pse për rrëzimin e fundit të avionit të Air India, ende nuk dihen shkaqet, Boeing ka deklaruar se është në dijeni të raportimeve fillestare dhe po punon për të mbledhur më shumë informacion.
Ndërkohë, Deutche Welle ka folur me ekspertin britanik të aviacionit Julian Bray, i cili e ka cilësuar aksidentin “një katastrofë madhore dhe fatale.” Ai tutje ka thënë se pas analizimit të pamjeve të disponueshme dhe thirrjes emergjente “mayday”, mendon që piloti ka qenë i vetëdijshëm për ndonjë problem të mundshëm.
“Pamjet e para nuk janë aspak premtuese, por në raste të tilla ka pasur të mbijetuar më pare,” është shprehur Bray.
Raportet e para tregojnë se avioni është përplasur me një ndërtesë pranë një spitali, duke rritur shqetësimet për viktima edhe në tokë. Ekipet e emergjencës janë në vendngjarje dhe operacioni aktual është ende në fazën e kërkim-shpëtimit, me shpresën për të gjetur të mbijetuar.