Një aksident fatal që ndodhi të shtunën mbrëma në Ettingen, kantoni Basel-Landschaft, ka rikthyer në qendër të vëmendjes një kërkesë të vjetër: pajisjen e makinave me imobilizues për shoferët e dehur, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.
Ngjarja tronditëse ndodhi pak pas orës 20:45, kur një 29-vjeçar goditi për vdekje një këmbësore 67-vjeçare që po ecte në trotuar. Viktima ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa shoferi u largua, por u arrestua pak më vonë në Muttenz.
Sipas autoriteteve, ai ishte nën ndikimin e alkoolit dhe kokainës. Testi i alkoolit tregoi një nivel prej 0.84 mg/l, ndërsa testi i drogës rezultoi pozitiv për kokainë.
Presidenti i fondacionit RoadCross Switzerland, Willi Wismer, u shpreh i ashpër ndaj ngjarjes: “Dikush si ai nuk ka çfarë kërkon në timon. Ka vrarë një njeri dhe duhet të ndëshkohet rëndë.” Wismer thekson se rasti është një shembull i qartë pse Zvicra duhet të vendosë më në fund imobilizues të alkoolit, një masë që ishte parashikuar në paketën Via Sicura, por u tërhoq para se të hynte në fuqi për shkak të kundërshtimeve në Parlament.
Idenë e mbështet edhe Këshilltari Kombëtar i SP-së, Jon Pult, i cili thotë se “ishte kundër heqjes së këtij opsioni nga ligji”. Edhe Florence Brenzikofer nga Partia e Gjelbër kërkon zbatimin e pajisjeve, duke theksuar se imobilizuesit funksionojnë në BE dhe Skandinavi.
Por rezistenca është e fortë nga ana konservatore e Parlamentit. Stefanie Heimgartner nga SVP e cilëson këtë masë si të shtrenjtë dhe të lehtë për t’u anashkaluar. Sipas saj, përgjegjësia personale është më efektive se “paternalizmi shtetëror”.
Avokati penal David Gibor shprehet se nëse vërtetohet se shoferi ishte nën ndikimin e drogës dhe alkoolit, mund të përballet me akuza të rënda: nga vrasja nga pakujdesia deri te rrezikimi i jetës dhe drejtimi i automjetit nën ndikim. Në rastin më të keq, ai mund të përballet me dënim me burg pa kusht.
Sipas Wismer, ndërgjegjësimi për rrezikun e ngarjes në gjendje të dehur është rritur, veçanërisht te të rinjtë. Megjithatë, ai thekson se brezat më të vjetër shpesh e nënvlerësojnë rrezikun dhe mbivlerësojnë aftësitë e tyre. “Në të kaluarën, njerëzit qeshnin kur dikush nuk ngiste se kishte pirë. Sot, kjo është më e pranueshme”.