Policia e Kosovës ka thënë se në bazë të hetimeve fillestare, Ideal Halabaku, 26-vjeçari që u vetaksidentua në autostradën “Arben Xhaferi”, s’e kishte humbur jetën për shkak të aksidentit.
Në njoftimin e Policisë u bë e ditur se tashmë i ndjeri ishte aksidentuar rreth orës 05:00, ku kishte rënë nga Ura e Kaçanikut në autostradë, ndërsa tek në ora 13:15 ishte lajmëruar Policia nga një qytetar
“Më datë 08.06.2025, rreth orës 13:15, jemi njoftuar nga një qytetar për gjetjen e trupit të pajetë të viktimës I.H (M/K) i moshës 26 vjeç. Dyshohet se viktima kishte pësuar aksident trafiku rreth orës 05:00 të mëngjesit në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër fshatit Bob, komuna e Kaçanikut“, u tha në njoftimin e policisë.
Tutje, policia bëri të ditur se hetuesit e trafikut kanë konstatuar se vdekja e viktimës nuk ka ardhur si pasojë e aksidentit.
Policia ka bërë të ditur se do të japë informacione shtesë pas ekzaminimit të nevojshëm nga hetuesit rajonalë.
Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim kanë ndihmuar në tërheqjen e trupit nga vendi ku ka rënë tashmë i ndjeri.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim njofton se ka përfunduar operacioni emergjent në Komunën e Kaçanikut, ku për fat të keq një person ka humbur jetën. Ekipet tona kanë bërë tërheqjen e trupit të pajetë në bashkëpunim me autoritetet përkatëse“, u tha në njoftimin e tyre.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili e cilësoi vdekjen e të riut si vdekje tragjike dhe u shprehu ngushëllime familjarëve.
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të të riut Ideal Halabaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe të dhimbshme, duke lënë pas pikëllim të madh tek familja, miqtë dhe te e gjithë shoqëria jonë”, tha Sokol Haliti.
aaaaa