Aksidenti i Air India, djali i një prej viktimave: Më dërguan mbetje që s’ishin të nënës sime - Gazeta Express
string(90) "aksidenti-i-air-india-djali-i-nje-prej-viktimave-me-derguan-mbetje-qe-sishin-te-nenes-sime"

Lajme

Gazeta Express

24/07/2025 6:55

Aksidenti i Air India, djali i një prej viktimave: Më dërguan mbetje që s’ishin të nënës sime

Lajme

Gazeta Express

24/07/2025 6:55

Djali i një prej viktimave në përplasjen ajrore të Air India-s ka deklaruar për BBC se në arkivolin e nënës së tij, i dërguar në Mbretërinë e Bashkuar, janë gjetur edhe mbetje të tjera njerëzore.

Miten Patel, i cili humbi edhe të atin në aksident, tha se konstatuan praninë e mbetjeve të përziera në arkivol, duke e lënë atë me dyshimin tronditës: “Sa të tjerë ndodhen aty brenda?”

Sipas Daily Mail, të paktën dy raste janë identifikuar ku trupat e pajetë të dërguar në Britani nuk përputheshin me identitetin e viktimave. Në një rast ishte dërguar një trup i gabuar dhe në një tjetër disa mbetje të njerëzve të ndryshëm ishin vendosur në të njëjtin arkivol.

Ministria e Jashtme e Indisë reagoi duke deklaruar se të gjitha mbetjet mortore janë trajtuar me “profesionalizëm maksimal” dhe “respekt të plotë për dinjitetin e të ndjerëve”, ndërsa konfirmoi se po punon ngushtësisht me autoritetet britanike për të sqaruar situatën.

Nga ana tjetër, qeveria britanike tha se identifikimi formal i trupave është përgjegjësi e autoriteteve indiane, por po vijon bashkëpunimin me shtetin e Gujaratit dhe qeverinë indiane.

Ashok dhe Shobhana Patel, të cilët ndodheshin në avionin që u nis më 12 qershor nga Ahmedabad drejt Gatwick, ishin ndër viktimat e para që u kthyen në shtëpi.

“E kuptoj që mund të ketë pasur lodhje dhe presion, por kjo nuk është arsye. Duhet të ketë një standard serioz përgjegjësie kur dërgon trupat në një vend tjetër. Si mund të jem i sigurt që në arkivol ndodhet vetëm nëna ime?”, tha i zhgënjyer djali i tyre, Miten.

Një avokat që përfaqëson disa nga familjet e prekura kërkoi që kryeministri britanik Sir Keir Starmer të ngrejë këtë çështje me kryeministrin indian Narendra Modi gjatë vizitës së këtij të fundit në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë.

“Familjet kanë nevojë për përgjigje urgjente dhe garanci për vendndodhjen e trupave të të afërmve të tyre”, tha ai.

Zyra e Jashtme britanike theksoi se po ofron mbështetje të vazhdueshme për të gjitha familjet, përfshirë edhe caktimin e zyrtarëve të posaçëm për çdo familje që e ka kërkuar një të tillë.