string(114) "akrobacionet-e-taravarit-nga-percarja-e-partise-per-te-hyre-ne-vlen-te-braktisja-e-qeverise-cfare-e-joshi-doktorin"

Lajme

Gazeta Express

17/05/2025 22:28

Akrobacionet e Taravarit, nga përçarja e partisë për të hyrë në VLEN te braktisja e Qeverisë – çfarë e joshi doktorin?

Lajme

Gazeta Express

17/05/2025 22:28

Ende pa u bërë një vit që kur Taravari u bë pjesë e Qeverisë, papritmas ai mori vendim për t’u larguar nga ekzekutivi.

Ndërkaq, që të bëhej pjesë e Qeverisë, ai në vitin 2024 është dashur që ta përçaj partinë e tij e cila aso kohë kishte vullnetin që të garonte si e vetme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024.

Pasi përçau partinë e tij duke u thirrur në ndryshim, ai u bë pjesë e koalicionit VLEN, me partitë të cilat më herët nuk i kursente aspak në paraqitjet e tij publike.

Partia e Taravarit ishte një nga partitë më të favorizuara edhe për nga numri i deputetëve por edhe për nga numri i resorëve në këtë përbërje qeveritare.

Arsyet e largimit nga koalicionit VLEN, jo rallë herë ndryshuan te Taravari.

Fillimisht, ai tha se ka moskoordinim dhe mosfunksionim të koalicionit VLEN, më pas duke pretenduar se posedon disa matje të opinionit, ai tha që shqiptarët janë 70% të pakënaqur nga kjo qeveri, dhe në fund si arsye kryesore ishte garimi në zgjedhje lokale me lista të veçanta të këshilltarëve për kuvend komunal.

Të gjitha këto lëvizje siç duket nuk i kanë mjaftuar Taravarit i cili tani haptazi po koketon me Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit.

Këtë ai po e bën pas një sërë akuzash për korrupsion ndaj zyrtarëve të BDI-së duke mos kursyer as Ali Ahmetin.

Ndërkaq nga koalicioni VLEN, thonë se Taravarit i është ofruar thuajse çdo gjë që ai ka kërkuar brenda koalicionit vetëm që ai të mos “vetëpërjashtohet” nga ky grup.

Por, siç duket Taravarin nuk ka joshur asgjë më shumë sesa (oferta) e Ali Ahmetit.

Nga VLEN thonë se ende nuk i kanë të qarta akrobacionet politike të Taravarit.

Ata pyesin vazhdimisht Taravarin se cila është arsyeja e vërtetë që e bëri atë ta “tradhëtojë” koalicionin VLEN.

Për ironi të fatit, atë që Taravari i bëri ish bashkëpartiakut, Ziadin Selës vetëm para një viti, kur nga Prishtina, pas takimit me Albin Kurtin, i njoftoi strukturat e partisë se do t’i bashkangjitet koalicionit VLEN, po i kthehet bumerang!

Jo më larg se sot, zv. Kryeministri nga radhët e ASH-së, Arben Fetai dhe disa bashkëpartiakë tjerë të Taravarit, u takuan me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti (ideatorin dhe garantuesin e koalicionit VLEN) duke konfirmuar kështu vazhdimin e rrugës së “ndryshimit” me koalicionin VLEN.

Kujtojmë që Taravari ka qenë cak i sulmeve shumë të shpeshta nga ana e VMRO-DPMNE-së para se të bëhet pjesë e këtij koalicioni, me akuza të rënda sidomos për afera korruptive në komunë të Gostivarit, por edhe në nivel qendror.

Ziadin Sela, ish bashkëpartiaku i Taravarit e akuzon këtë të fundit se në zgjedhjet e vitit 2021 ia “shiti” komunën e Tetovës, me të vetmin qëllim që ta degradojë Selën dhe t’ia merr partinë.

Ndërkaq burimet e Gazetës Express në Maqedoni, bëjnë të ditur se është çështje ditësh kur Gjykata do të thotë fjalën përfundimtare duke ia dhënë vulat e partisë Ziadin Selës, dhe duke e lënë kështu Taravarin pa parti.

Kjo pritet që të shfrytëzohet si alibi nga ana e Taravarit që të garojë së bashku me BDI-në e Ahmetit në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.

Sipas informacioneve që i posedon Gazeta Express, Ali Ahmeti i ka ofruar Taravarit së paku pesë komuna, ndërsa kjo ka shkaktuar reagime të Ziadin Selës, i cili u tregua mjaft besnik ndaj Ali Ahmetit që nga zgjedhjet e fundit parlamentare.