AKB në përkrahje të protestës për drejtësi për çlirimtarët - Gazeta Express
string(58) "akb-ne-perkrahje-te-protestes-per-drejtesi-per-clirimtaret"

Lajme

Gazeta Express

05/08/2025 14:29

AKB në përkrahje të protestës për drejtësi për çlirimtarët

Lajme

Gazeta Express

05/08/2025 14:29

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, sot në zyrat e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka pritur në takim kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, dhe delegacionin e tij, me të cilët ka diskutuar rreth protestës gjithëpopullore të 7 gushtit kundër padrejtësive që po u bëhen çlirimtarëve tanë në Hagë.

“AKB dhe komuniteti i biznesit kosovar, që gjithmonë ka qenë në krah të atdheut, do ta mbështesin fuqishëm këtë protestë paqësore, sepse padrejtësia ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe shokëve të tyre është padrejtësi ndaj vetë historisë sonë dhe vetë lirisë sonë. Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur kur ata që na sollën lirinë po trajtohen si fajtorë. Ne nuk mund të bëhemi shurdh ndaj dhimbjes së familjeve të tyre. Kjo nuk është vetëm betejë ligjore – është betejë për të vërtetën, për dinjitetin tonë kombëtar dhe për të ardhmen e drejtë të Kosovës”, tha Shahini.

Shahini nga AKB u bën thirrje të gjitha bizneseve, pronarëve, punëtorëve dhe qytetarëve të ndershëm të Kosovës që më 7 gusht të bashkohen me zemër dhe ndërgjegje të pastër në këtë protestë për drejtësi.

“Sepse kur padrejtësia bëhet ligj – rezistenca bëhet detyrë; sepse pa çlirimtarët – nuk do të kishim liri; sepse heshtja jonë sot, mund të jetë dënimi i nesërm i historisë”, tha kryetari i AKB-së.