Akademik Rexhep Ismajli: Tre shënime në vend të In memoriam për Bahri Becin - Gazeta Express
string(74) "akademik-rexhep-ismajli-tre-shenime-ne-vend-te-in-memoriam-per-bahri-becin"

Arte

Gazeta Express

31/08/2023 14:35

Akademik Rexhep Ismajli: Tre shënime në vend të In memoriam për Bahri Becin

Arte

Gazeta Express

31/08/2023 14:35

U NDA NGA NE AKADEMIK BAHRI BECI

E nderuar Zonja Vlera dhe familja Beci, Z. Kryetar i Akademisë, akademikë, miq dhe kolegë të Akademik Bahri Becit,

Lexo Edhe:

Shuarja e bashkëshortit, prindit, familjarit, kolegut, studiuesit dhe njeriut, mikut të çmuar Akademik Bahri Becit është humbje e jashtëzakonshme për të gjithë ne, për kulturën dhe mbi të gjitha për shkencën shqiptare, për albanologjinë.

Në jetën e tij të begatshme shkencore dhe hulumtuese Akademik Bahri Beci ka dhënë ndihmesa në shumë fusha studimore të albanologjisë. Në studimet dialektologjike ai ka qenë i pranishëm me përshkrime të gjera të të folmeve të ndryshme të shqipes. Ndihmesat e tij kanë qenë të shënueshme dhe në studimet e fenomeneve diakronike. Bahri Beci bën pjesë në grupin e studiuesve që në pjesën e dytë të sh. XX me një vështrim metodologjik dhe me një horizont unik të dijes bëri përshkrimin e të folmeve të Shqipërisë, duke na dhënë pasqyrën e tyre në një prerje kohore. Ka qenë në grupin bërthamë që hartoi Atlasin dialektologjik të shqipes. Pas përvojave në fushat e fonetikës eksperimentale dhe të studimeve fonologjike në Paris, ai erdhi me vështrime të tjera për tërësinë e studimeve dialektore të shqipes dhe për nyjëtimin dialektor të shqipes. Në studimet e historisë së gjuhës Bahri Beci ka sjellë ndihmesa me interes për çështje të fonetikës historike, të historisë dialektore të shqipes. Ndihmesë të veçantë ka sjellë me studimet për historinë e standardizimit të gjuhës shqipe me interpretime kritike. Me rëndësi për studimet albanologjike kanë qenë dhe ndihmesat e tij nëstudimet e raporteve të shqipes me gjuhët ballkanike. Duke ndjekur konceptime më të moderuara, Bahri Beci ka bërë një punë me vlerë në gramatikëshkruarjen e shqipes, ashtu si dhe në vështrimet nga këndi pedagogjik për hartimin e gramatikave dhe të teksteve mësimore të mësimit fillor e të mesëm në Shqipëri e në Kosovë.

Veprimtaria intelektuale e Akademik Bahri Becit në dekadat e fundit shtrihej në vështrimin kritik të veprimtarive shkencore brenda shoqërisë shqiptare. Bie në sy theksimi nga ana e tij i nevojës për të pasur sistem vlerash brenda studimeve albanologjike duke u kthyer përfundimisht drejt rrugëve të shtruara në dijet perëndimore.

Bahri Beci i ka lënë gjurmët e punës së tij në drejtimin e institucioneve shkencore në Shqipëri, të Institutit të Gjuhësisë, si punonjës nga vitet ‘60 të sh. XX, si sekretar shkencor dhe drejtor i tij. Brenda atij kuadri ka vepruar në drejtimin e revistave Studime filologjike, Studia albanica dhe të botimeve të veçanta.

Bahri Beci ishte një personalitetet i rëndësishëm i gjuhësisë shqiptare të pjesës së dytë të sh. XX dhe të fillimit të sh. XXI. Lidhjet e tij me Kosovën dhe mjediset shkencore e kulturore në Kosovë kanë qenë të vazhdueshme. Përveç botimeve që ka bërë në Kosovë, ai ka dhënë një ndihmesë dhe për hartimin e teksteve të përbashkëta të gjuhës shqipe, por edhe për punën e përbashkët në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare: në vitet 1995-1996, kur Seminari nuk mund të mbahej në Prishtinë. Nga 2016 ishte anëtar i jashtëm i ASHAK-ut.

Akademik Bahri Becin e kam njohur qysh në shkëmbimet e para midis dy universiteteve tona – në Tiranë e në Prishtinë para gjysmë shekulli. Pastaj kemi pasur kontakte gjatë qëndrimit në Francë dhe më vonë gjithandej nëpër veprimtari shkencore albanologjike. Prej atëherë kishim ndërtuar një miqësi që shkonte përtej preokupimeve tona në fushën e gjuhësisë. Shuarja e tij për mua është humbje e madhe në aspektin miqësor.

Humbja e tij për të gjithë ne është e jashtëzakonshme, por të gjithë ne, sidomos familja dhe mjedisi ku veproi, jemi krenarë që e patëm dhe që jetuam në një kohë me Bahriun e dashur.

Zonjës Vlera dhe familjes Beci, miqve, Akademisë dhe kolegëve u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje të madhe.

AKADEMIK BAHRI BECI SI STUDIUES DHE INTELEKTUAL

Me rastin e 85-vjetorit të lindjes së Akademik Bahri Becit në Shkodër, 2021

Akademik Bahri Beci, një nga personalitetet e shquara të studimeve albanistike, doli nga gjiri i Shkodrës, prej kohësh vatër e kulturës dhe dijes. Pjesën e madhe të shekullit të punës shkencore e kaloi në Tiranë dhe në lëvizjet nga Tirana në Paris.

Akademik Bahri Beci edhe sot vazhdon t’i dhurojë albanistikës vepra me vlerë si kjo e fundit Rreth rolit të shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike. Bashkësia gjuhësore ballkanike në dritën e të dhënave të gjuhës shqipe, 2021, që vjen pas botimit frëngjisht të veprës L’Union linguistique balkanique à la lumière des données da la langue albanaise, 2020, në të cilën ai është marrë me konceptet themelore të gjuhësisë ballkanike, pikëpamjet e studiuesve për shkaqet e formimit të bashkësisë gjuhësore ballkanike dhe për rolin e shqipes në formimin e saj, për strukturën dialektore të shqipes dhe raportet e historinë dialektore edhe në relacion me rumanishten, sidomos në krahinën dialektore të jugut, me marrëdhëniet e shqipes me rumanishten, me ndërlidhjen e kësaj bashkësie me dyndjet e sllavëve në Ballkan. Ai merret posaçërisht me rolin e elementit shqiptar në procesin gjuhësor të ballkanizimit. Me modestinë, që e karakterizon, arritjen në këtë vepër e shprehte si vijon: “Nuk mund të themi me bindje se e kemi gjetur rrugën e zgjidhjes, por jemi të bindur se kemi gërmuar në një drejtim që ia vlen të ecet pa e nënvlerësuar, por edhe pa pretenduar se gjithëçka që është parashtruar këtu është e vërteta e fundit. Është vetëm një përpjekje, disi e re, për të depërtuar në errësirën e formimit të bashkësisë gjuhësore ballkanike, kësaj radhe, duke u nisur nga të dhënat për shtrirjen e dukurive të përbashkëta ballkanike në hapësirën e gjuhës shqipe, përfshirë dialektet e saj, po edhe nga vjetërsia e formimit të tyre.”

Materialet e krahasaura dhe fenomenet e gjurmuara autori i ka paraqitur me saktësi e mbi bazë të rezultateve të Atlasit dialektologjik, kështu që vlera e veprës shkon gjithsesi përtej këtij anoncimi. 

Akademik Bahri Becin e kam njohur qysh në shkëmbimet e para midis dy universiteteve tona – në Tiranë e në Prishtinë, në vitin 1972. I përkushtuar në studimet dialektologjike të shqipes që atëherë bëheshin, siç thotë ai vetë tani, sipas metodës tradicionale, sipas një modeli të hulumtimit në terren mbi bazë të parametrave të një pyetësori. Instituti i Gjuhësisë në Tiranë atëherë realizonte projektin e studimeve dialektore. E rëndësishme ishte që ato studime po bëheshin me metoda dhe sipas gjedheve të njëjta a të ngjashme të dialektologjisë, ku ndërthureshin ide të gjeografisë gjuhësore, ndonjëherë reflekse indirekte të shkollës Fjalët dhe sendet, elemente etnografike, etj. Përshkrimet kufizoheshin në gjuhën e sotme, por ngriheshin mbi supozime historike, sepse ndiqnin parametrat dallues midis të folmeve sipas shtresëzimeve kohore. Mbi ato baza bëheshin grupimet dialektore dhe klasifikimet. Veçori e atyre studimeve ishte përqendrimi në përshkrimin e strukturës fonetike mbi baza të perceptimit të përafërt, të strukturës morfologjike dhe diçka leksikore, vjelje fjalësh dhe çështje sintaksore, më pak. Silleshin materiale etnografike, po edhe shënime të natyrës shoqërore. Edhe në Kosovë e ish-Jugosllavi bëheshin studime të ngjashme. Kishte dhe një orientim studimesh të dialektologjisë historike, siç bënte Ajeti, ndërsa për të folme të veçanta hartoheshin monografi. Pjesa e diasporës historike gjenetikisht toske e arbërishtes së Greqisë, e arbërishtes së Italisë, e shqipes së Bullgarisë e të Ukrainës, gege e arbënishtes së Zarës, shiheshin në funksion të klasifikimeve vetanake. Për ato varietete pati studime me vlerë sa i përket përshkrimit, metodës e arritjeve. Të gjitha së bashku jepnin një pasqyrë për varietetet e shqipes/ arbënishtes në tërësi, pasqyrë që përtregonte diversitetet hapësinore me shpjegime historike, sociale, të kontaktit, etj. Këto diversitete shpjegoheshin mbi baza klasifikuese me parametra të motivuar historikisht përmes izoglosave tradicionalisht të identifikuara, si rotacizmi, nazalizmi, diftongimet, palatalizimet, etj. Prandaj edhe përqendrimet ishin kryesisht te tiparet fonetike e morfologjike, shpesh duke veçuar tufa specifike e duke neglizhuar përshkrimin e plotë të varietetit përkatës. Kjo qe baza për krijimin e pyetësorit dhe realizimin e Atlasit dialektologjik në rrethana të vështirësuara të ndarjeve shtetërore si një vepër sintetizuese e atyre eksplorimeve ekstensive, por të realizuara me të njëjtën metodologji në të dy anët e kufirit, pas vitit 1981 më vështirë të kalueshëm. 

Në të gjitha ato procese studimi Bahri Beci ka qenë dendësisht i pranishëm, kryesisht me studime për të folmet e gegnishtes qendrore dhe të gegnishtes veriperëndimore, me pjesëmarrje intensive në punën e Atlasit, etj. Por manifestonte gjithashtu interesa për studimin e çështjeve të ndryshme të natyrës historike. Përshkrimet e tij të të folmeve të Matit e të Dibrës, më vonë të Shkodrës e të Veriut, shkonin në gjerësi dhe sillnin materiale të bollshme kontekstualizuese.

Me Bahri Becin kam pasur kontakte dhe në kohën kur ai po niste një fazë të re studimi në Institutin e Fonetikës në Paris, ku merrej me hulumtimin e së folmes së Shkodrës në rrafshin fonetik mbi bazë të analizave spektrografike. Kjo përvojë do t’i sillte atij dhe nevojën për vështrime pak më ndryshe të tërë fenomenit të variacioneve dialektore. Dhe në këtë pikë ai me monografinë për sistemet zanore dhe bashkëtingëllore të së folmes së Shkodrës do të sjellë risi në dialektologjinë shqiptare, po edhe në fushën e fonetikës, duke i begatuar ato me rezultatet e analizave spektrografike. Mund të jetë që këtu qëndron dhe një kthesë në studimet e mëtejme të tij. Sidomos në fushën e fonetikës, po edhe përgjithësisht në raport me gjuhësinë funksionale.

Bahri Beci u mor dhe me studime të gjuhës standarde, shpesh të para në raportet me dialektet, por me vështrime kritike për procest e formimit të saj dhe sidomos për interpretimet e mëparme. Sfondi historik i studimeve dialektore të shqipes ishte pjesë e hulumtimeve të tij, po ashtu. Në dy dekadat e fundit ai kishte zhvilluar dhe një veprimtari të gjerë të hartimit të gramatikave shkollore për të gjitha nivelet e mësimit të shqipes. Në një aspekt më të përgjithshëm ai vinte nga një horizont dialektologjik tradicional, por ndërkohë i begatonte vështrimet me studimet eksperimentale e funksionale. Këto studime në laborator ia kishin theksuar edhe më shumë tendencën që Bahri Beci e kishte shfaqur dhe më herët për respektin maksimal ndaj të dhënave, mbledhjen e tyre dhe hetimin pastaj.

Pas kësaj përvoje të gjatë si studiues, edhe si drejtues i Institutit, pas akumulimeve, ai erdhi me një vështrim të ri për tërësinë e dialektologjisë shqiptare. Dhe ky vështrim është kritik për të arriturat e mëhershme, për mënyrën e studimit dhe për përgjithësimet edhe klasifikuese që janë bërë deri sot. I bërë nga një studiues me përvojë të atillë ky studim paraqet vlerë më vete. Do theksuar me këtë rast kërkesa e tij për të shkuar më tej me vështrimin e tij ndërtues, paraqitjen e modelit që ndjek, përmes një rrjeti tipologjik tiparesh. Në librin Struktura dialektore e shqipes. Një qasje e re, 2016, ai bënte një paraqitje kritike të zhvillimeve dhe të rezultateve të arritura në studimet dialektore të shqipes, në raport me dukuritë dialektore dhe metodat e studimit të tyre. Aty ai artikulonte dhe pikëpamjen e tashme për këto probleme. Në pjesën për strukturën dialektore të shqipes ai sillte pikëpamjet e tij për strukturën dialektore të shqipes, gjithnjë në raport me përgjithësimet e bëra më herët në faza të ndryshme, nga Gjinari, Gjinari-Shkurtaj etj. Pas kritikës për ndarjen e mëparme në dialekte, nëndialekte e të folme, ai vinte me propozimet e tij për krahinat dialektore, për zonat dialektore dhe për rajonet dialektore, për të cilat besonte se mund të sjellin pasqyrim më adekuat të gjendjes së shqipes në terren.

Në pjesën e mbylljes ai bën dhe një vështrim më të përgjithshëm për zhvillimet e atyre studimeve në Shqipëri, duke theksuar se ato ishin bërë kryesisht në periudhën e monizmit dhe me orientim tërësisht lindor. Për pasqyrat e përgjithësimit të dialekteve të shqipes pas ndryshimeve në Shqipëri, por në të njëjtën vijë (Gjinari/ Shkurtaj), ai vërente se “vihet re një kthesë e plotë drejt literaturës perëndimore”, përkatësisht “përpjekja për ndryshimin, jo të kritereve të studimit të dukurive dialektore të shqipes, po të kritereve të paraqitjes dhe klasifikimit të të dhënave dialektore”. Ai vërente kapërcimin nga një paraqitje dhe klasifikim tradicional te një klasifikim mbi bazën e kritereve funksionale a strukturore dhe këtu ai vërente momentin, për të, të papranueshëm: të njëjtat dukuri të përshkruara më parë me terminologji tradicionale tani kërkohet të jepen me terminologji funksionale a strukturore, duke vënë re po ashtu se ka dallime metodologjike në këtë aspekt dhe në raport me paraqitjet e niveleve fonetike e morfologjike.

Përgjithësimi i tij përfundimtar vjen si vijon: “tek ne ka munguar një formim teorik i specializuar në fushën e dialektologjisë”. Edhe për konceptimin dhe hartimin e Atlasit ai vëren se është bërë në kohën e monizmit, “në kushtet e mungesës së lirisë akademike në Shqipëri” me mbështetje në gjuhësinë marksiste, e marksiste-leniniste. Kjo nënkuptonte përvojat e gjeografisë gjuhësore lindore. Vështirësitë në këto drejtime e bëjnë autorin të konstatojë se “përpjekjet tona në këtë libër për të arritur në përfundime shkencore, nuk mund të vlerësohen si përfundimtare, por si një synim për të shmangur… mangësitë e trajtimeve përgjithësuese të derisotme…, po edhe për të krijuar kushtet për një përqasje të re ndaj kësaj problematike... “

Objekt kërkimi i tij ka qenë struktura dialektore e shqipes, historia e formimit të dy dialekteve të saj në kontekstin ballkanik. Në fushën e fonetikës ka sjellë të dhëna me interes për strukturën fonetike të gegnishtes veriore dhe të gjuhës letrare duke u mbështetur në analizat spektrografike e funksionale. Ka trajtuar probleme të historisë së formimit të shqipes standarde me vështrime të mprehta kritike.

Akademik Bahri Beci ka dhënë ndihmesa të rëndësishme në fushat studimore që u përmendën:

1.        Në studimet dialektologjike ai është i pranishëm dendësisht me përshkrime të gjera të të folmeve të ndryshme të gegnishtes qysh në vitet ’60 të sh. XX, konkretisht me përshkrimet e të folmeve dhe të grupeve të të folmeve të arealit të gegnishtes qendrore dhe të gegnishtes veriperëndimore. E folmja e Shkodrës ka qenë objekt i veçantë i studimeve të tij me zbatime të përshkrimeve akustike. Ndihmesat e tij në këto fusha kanë qenë të shënueshme dhe në studimet e fenomeneve të ndryshme diakronike. Bahri Beci bën pjesë në grupin që në pjesën e dytë të sh. XX me një vështrim metodologjik dhe me një horizont unik të dijes bëri përshkrimin e shumë të folmeve të Shqipërisë, duke na dhënë kështu pasqyrën e tyre në një prerje kohore. Ka qenë në grupin bërthamë që hartoi Atlasin dialektologjik të shqipes. Pas përvojave në fushat e fonetikës eksperimentale dhe të studimeve fonologjike në Paris ai erdhi dhe me vështrime të tjera për tërësinë e studimeve dialektore të shqipes, për tërësinë e dialekteve të shqipes dhe në veprën e fundit. Pas një kritike nga brenda të asaj përvoje dhe të atyre rezultateve ai na vjen me një propozim të ri për ndarjen dialektore të shqipes duke marrë parasysh dhe elemente të tjera si aspektet tipologjike, etj.

2.        Në studimet fonetike të shqipes, fushë në të cilën për shumë kohë në Shqipëri sundonin konceptet teorike të shkollës sovjetike, Bahri Beci solli përvojën e hulumtimit akustik, duke i zbatuar këto metoda në përshkrimin e të folmes së Shkodrës, për të vazhduar pastaj me tekstin e fonetikës së shqipes e studime të tjera.

3.        Në studimet e historisë së gjuhës Bahri Beci ka sjellë ndihmesa me interes për çështje të fonetikës historike, të historisë dialektore të shqipes. Ndihmesë të veçantë e ka sjellë me studimet për historinë e standardizimit të gjuhës shqipe me interpretime kritike e të ndryshme nga standardet në Shqipëri para viteve ’90.

4.        Aspekt të veçantë paraqesin ndihmesat në studimet e raporteve të shqipes me gjuhët ballkanike.

5.        Në fushën e studimeve gramatikore Bahri Beci ka dhënë një ndihmesë me vlerë me gramatikën e tij, duke ndjekur konceptime më të moderuara nga tradicionalet në Shqipëri. Lidhur me këtë është dhe veprimtaria e tij e dendur pedagogjike me hartimin e gramatikave dhe të teksteve mësimore të gjuhës në të gjitha nivelet e mësimit fillor e të mesëm në Shqipëri e në Kosovë. Këtu mund të dëshirohej zbatimi më i përkushtuar i qëndrimeve rinuese që i ishin shpërfaqur me kthesën metodologjike pas përvojës së analizave spektrografike dhe funksionale në rrafshin fonetik-fonologjik.

6.        Aspekt i veçantë i veprimtarisë intelektuale të Bahri Becit është ai i vështrimit kritik të veprimtarive shkencore brenda shoqërisë shqiptare, konkretisht në kuadër të zhvillimeve brenda Akademisë dhe Institutit të Gjuhësisë. Pas viteve ’90 ai e ka ndjerë nevojën të merrej me konceptimet themelore ideologjike brenda veprimtarive shkencore shqiptare, për çka ka botuar tre libra. Bie në sy theksimi nga ana e tij i nevojës për të pasur sistem vlerash brenda studimeve albanologjike, natyrisht, duke u kthyer përfundimisht drejt rrugëve të shtruara në dijet perëndimore. Në shqyrtimet e tij kritike për kushtëzimet ideologjike në gjuhësinë shqiptare mund të dëshirohej një vështrim më rrënjësor teorik e më pak personal e biografik, sado që edhe këto aspekte meritojnë vëmendje të plotë.

Bahri Beci ka lënë gjurmët e punës së tij në drejtimin e institucioneve shkencore në Shqipëri, më konkretisht të Institutit të Gjuhësisë, si punonjës nga vitet ‘60, pastaj sekretar shkencor dhe drejtor i tij. Brenda atij kuadri ka vepruar në drejtimin e revistave Studime filologjike, Studia albanica dhe të botimeve të veçanta. Shtrirja e syrit kritik në implikimet ideologjike në këto hapësira, me zbatime konkrete te konceptet dhe skemat e studimeve do ta begatonin ndihmesën e tij në këtë fushë.

Bahri Beci është një nga personalitetet e rëndësishme të gjuhësisë shqiptare të pjesës së dytë të sh. 20 e të fillimit të sh. 21. Ai ka lënë gjurmë në studimet dialektologjike shqiptare, në studimet fonetike, në studimet e historisë së gjuhës e të historisë së standardizimit të shqipes, ashtu si në orientimin e këtyre studimeve në vitet ’90 të sh. 20. Nuk qëndroi indiferent ndaj zhvillimeve sa u përket metodave të studimit, kuadrit kulturor e shoqëror të zhvillimit të studimeve e të rrjedhave në albanologji në tërësi. U shqua me një sërë reagimesh kritike dhe thirrjesh për kthim në shtratin normal perëndimor të dijeve kombëtare, në frymën e vlerave të mirëfillta.

Akademikut Bahri Beci i uroj shëndet dhe i uroj të na japë ende vepra të reja. 

STRUKTURA DIALEKTORE E SHQIPES

Profesor Bahri Becin e kam takuar qysh në shkëmbimet e para midis dy universiteteve tona – në Tiranë dhe në Prishtinë, nga vitit 1972. Më vonë në Paris dhe prapë në Prishtinë e në Tiranë.

I përkushtuar në studimet dialektologjike të shqipes që atëherë bëheshin, siç thotë ai vetë tani, sipas metodës tradicionale, sipas një modeli të hulumtimit në terren mbi bazë të parametrave të një pyetësori me historik lidhur me një atlas dialektologjik që do të bëhej më vonë. Instituti i Gjuhësisë në Tiranë atëherë bënte një punë në fushën e studimeve dialektore, duke eksploruar në të gjitha anët e Republikës së Shqipërisë.

Nën drejtimin e Mahir Domit, grupi i dialektologëve Jorgji Gjinari, Bahri Beci, Mehmet Çeliku, Spiro Floqi, Minella Totoni, Qemal Haxhihasani, Xheladin Gosturani, Gjovalin Shkurtaj, Shefqet Hoxha e të tjerë po botonin rezultatet e hulumtimeve të tyre në terren për shumë të folme anë e mbanë Republikës. E rëndësishme ishte që ato studime po bëheshin me metoda dhe sipas gjedheve të njëjta a të ngjashme të dialektologjisë tradicionale, ku ndërthureshin dhe ide të gjeografisë gjuhësore, ndonjëherë reflekse indirekte të shkollës Fjalët dhe sendet, elemente etnografike, etj. Të gjitha ato përshkrime kufizoheshin në gjuhën e sotme, por në fakt ato ngriheshin mbi supozime historike, sepse ndiqnin parametrat dallues midis të folmeve sipas shtresëzimeve kohore. Mbi atë bazë bëheshin sidomos grupimet dialektore dhe klasifikimet. Udhëzuesit dhe pyetësorët ishin pak a shumë të njëjtë apo të ngjashëm për të gjithë.

Veçori e atyre studimeve ishte përqendrimi në përshkrimin e strukturës fonetike mbi baza të perceptimit të përafërt, të strukturës morfologjike dhe diçka leksikore, vjelje fjalësh dhe çështje sintaksore më pak. Silleshin dhe materiale etnografike, po edhe shënime të natyrës shoqërore. Sfondi i tyre ishin studimet dhe vrojtimet për dialektet, për historinë e gjuhës dhe më të përgjithshme për gjuhën shqipe të bëra nga albanistët vendorë dhe të huaj qysh nga Hahni, Meyeri, Pederseni, Jokli, Lambertzi, Tagliavini, Pekmezi, sidomos Çabej, Cimochowski, Desnickaja, Domi e të tjerë.   

Edhe në Kosovë e ish-Jugosllavi bëheshin studime të ngjashme mbi afërsisht po ato baza, por metodikisht jo gjithnjë të drejtuara nga pyetësorë dhe metoda ashtu eksplicite. Këtu kishte dhe një orientim studimesh të dialektologjisë historike, siç bënte Idriz Ajeti, ndërsa për të folme të veçanta hartoheshin monografi nga autorë si Latif Mulaku, Hilmi Agani, Tafil Kelmendi, Imri Badallaj, Mehmet Halimi, Naser Pajaziti, Fadil Raka, Remzi Nesimi, Zini Osmani, Fadil Sulejmani, Lumnije Jusufi e të tjerë. Në të dy anët referohej dhe monografia e Waclaw Cimochowskit për të folmen e Dushmanit, apo studimet e Carlo Tagliavinit e të tjerëve më herët. Mund të thuhet se këto studime përbëjnë një tërësi me arritje pak a shumë të ngjashme dhe mbi baza të dialektologjisë tradicionale. Pak më vonë do të ketë dhe tendenca të tjera me botime të ndryshme.

Me përjashtim të studimeve për arbnishten e Zarës, mund të thuhet se ato përshkruanin pak a shumë materialin dialektor të shqipes së trungut sipas skemës ndarëse etnografiko-historike gegnishte/ toskërishte. Mbi këto baza dhe përmes izoglosave gjithnjë të shpjeguara historikisht bëheshin dhe klasifikimet.

Pjesa që për mua, gjithnjë me referenca historike, duhej cilësuar si dialekte të shkallës së dytë, pra pjesa e diasporës historike gjenetikisht toske e arbërishtes së Greqisë, e arbërishtes së Italisë, e arbënishtes së Zarës dhe e shqipes së Bullgarisë dhe të Ukrainës, që për një kohë kishin jetuar zhvillime të ndara dhe në kontekste të tjera, në klasifikimet që bëheshin në Tiranë shiheshin vetëm në funksion të klasifikimeve të veta bazë. Por, për ato varietete pati dhe studime me vlerë sa i përket përshkrimit, metodës dhe arritjeve: le të përmendim këtu studimet e Eric Hampit, Claus Haeblerit dhe H.-J. Sasses, me metoda strukturale për të folmet e arbëreshëve të Greqisë, të Titos Jochalasit më tradicionale dhe të Lukas Cicipiisit me vështrime rrënjësisht sociolinguistike; studimet strukturale të Hampit, të Camajt, të Guxetës, pastaj të Solanos dhe një vargu studiuesish deri te brezat e Altimarit, të Belushos me mbështetje edhe metodash të fonetikës moderne. Nuk ka dyshim se këto studime pasqyronin mbështetje më të diversifikuara metodologjike dhe më pak synime klasifikuese si ato të trungut historik ballkanik. Në ato tradita kishte dhe përshkrime strukturale si ai i Leonaerd Newmarkut për të folmen e Beratit, etj.

 Sido që të jetë, të gjitha së bashku jepnin një pasqyrë për varietetet e shqipes/ arbër/nishtes në tërësi, pasqyrë që përtregonte diversitetet hapësinore me shpjegime historike, sociale, të kontaktit, etj. Këto diversitete shpjegoheshin kryesisht mbi baza klasifikuese me parametra të motivuar historikisht përmes izoglosave tradicionalisht të identifikuara, si rotacizmi, nazalizmi, diftongimet, palatalizimet, etj. Prandaj edhe përqendrimet ishin kryesisht te tiparet fonetike dhe morfologjike, shpesh madje duke veçuar tufa specifike dhe duke neglizhuar përshkrimin e plotë të varietetit përkatës. Merreshin parasysh dhe rezultatet e gjeografisë gjuhësore. 

Aspektet sociale e të tjera të variacionit, sidomos të para në vështrim sociolinguistik të kohëve më të vona mbeteshin në hije.

Sido që të jetë, kjo qe baza edhe për krijimin e pyetësorit dhe realizimin e Atlasit dialektologjik të realizuar në rrethana të vështirësuara të ndarjeve shtetërore si një vepër sintetizuese të atyre studimeve dhe eksplorimeve ekstensive të realizuar me të njëjtën metodologji në të dy anët e kufirit pas vitit 1981 më vështirë të kalueshëm. 

Në të gjitha ato procese studimi Bahri Beci ka qenë dendësisht i pranishëm, kryesisht me studime për të folmet e gegnishtes qendrore dhe të gegnishtes veriperëndimore, me pjesëmarrje intensive në punën e Atlasit, etj. Po manifestonte gjithashtu interesa për studimin e çështjeve të ndryshme të natyrës historike. Përshkrimet e tij të të folmeve të Matit e të Dibrës, më vonë të Shkodrës shkonin në gjerësi dhe sillnin materiale të bollshme kontekstualizuese. Indikonin një studiues të stërvitur për shënimin e njësive tingullore me perceptim të zakonshëm.

Me Bahri Becin kam pasur kontakte dhe në kohën kur ai po niste një fazë të re studimi në Institutin e Fonetikës në Paris, ku po merrej me hulumtimin e përqendruar të së folmes së Shkodrës në rrafshin fonetik dhe mbi bazë të analizave spektrografike. Kjo përvojë do t’i sillte atij dhe nevojën për vështrime pak më ndryshe të tërë fenomenit të variacioneve dialektore.

Bahri Beci u mor dhe me studime të gjuhës standarde, shpesh të para në raportet me dialektet, ashtu si dhe me aspektet ballkanike të shqipes. Vrojtimet historike dhe sfondi historik i studimeve dialektore të shqipes ishin pjesë e hulumtimeve të tij, po ashtu. Në dy dekadat e fundit ai kishte zhvilluar dhe një veprimtari të gjerë të hartimit të gramatikave shkollore për të gjitha nivelet e mësimit të shqipes. Në një aspekt më të përgjithshëm ai vinte nga një horizont dialektologjik tradicional, por ndërkohë i begatonte vështrimet e tij me studimet eksperimentale dhe implikimet që kishin ato për studimet në terren. Nga këndi i vrojtimeve të mia si koleg këto studime në laborator ia kishin theksuar edhe më shumë tendencën që shfaqte Bahriu edhe më herët për respektin e të dhënave, mbledhjen e tyre dhe hetimin pastaj. Në këtë kohën e dytë atij i dilte nevoja për krijimin e relevancave të reja që impononin materialet dhe të dhënat e rritura nga të gjitha këto përvoja.

Pas gjithë kësaj përvoje të gjatë si studiues, por edhe si drejtues i Institutit, pas gjithë atyre akumulimeve, ai na vjen tani me një vështrim të ri për tërësinë e dialektologjisë shqiptare. Dhe ky vështrim është kritik për të arriturat e mëhershme, për mënyrën e studimit dhe për përgjithësimet edhe klasifikuese që janë bërë deri sot. I bërë nga një studiues me përvojë të atillë ky studim paraqet vlerë më vete. Do theksuar me këtë rast kërkesa e tij e hetuar gjithandej për të shkuar më tej me vështrimin e tij tani ndërtues, paraqitjen e modelit që ndjek, përmes një rrjeti tipologjik tiparesh.

Në këtë libër ai e ka ndjerë nevojën të bënte një paraqitje kritike të zhvillimeve dhe të rezultateve të arritura në studimet dialektore të shqipes, së pari në raport me dukuritë dialektore dhe metodat e studimit të tyre. Në këtë pjesë ai vjen të nyjëtojë dhe pikëpamjen e tij të tashme për këto probleme duke u nisur nga vështrimi i përgjithshëm tipologjik i të dhënave në rrafshet fonetik, morfologjik dhe leksikor.

Në pjesën e dytë të librit ai merret me strukturën dialektore të shqipes duke bërë paraqitjen e parimeve dhe të kritereve për vështrimet në këtë pikë dhe në fund vlerësimet e veta kritike. Këtu ai vjen me një problematizim të posaçëm të konceptit të të folmeve kalimtare dhe në fund me paraqitjen e pikëpamjeve të tij për strukturën dialektore të shqipes, natyrisht gjithnjë në raport me përgjithësimet e bëra më herët në faza të ndryshme, nga Gjinari, Gjinari-Shkurtaj etj. Pas kritikës për ndarjen në dialekte, nëndialekte e të folme, ai vjen këtu me vështrimet dhe propozimet e tij për krahinat dialektore, për zonat dialektore dhe për rajonet dialektore, për të cilat beson se mund të sjellin pasqyrim jo vetëm të ri po edhe më adekuat të gjendjes së shqipes në terren.

Pjesa e tretë e librit i kushtohet studimit të tipareve dalluese të njësive  dialektore të shqipes, gjithnjë me metodologji të njëjtë: paraqitje kritike e studimeve të derisotme, parashtrim i pikëpamjeve të autorit për to.

Në pjesën e mbylljes ai nuk e lë pa bërë dhe një vështrim më të përgjithshëm për zhvillimet e atyre studimeve në Shqipëri, duke theksuar se ato ishin bërë nga Jorgji Gjinari kryesisht në periudhën e monizmit dhe me orientim tërësisht lindor. Për pasqyrat e përgjithësimit të dialekteve të shqipes pas ndryshimeve në Shqipëri, të bëra tani në bashkautorësi të Gjinarit/ Shkurtajt, ai vërente se “vihet re një kthesë e plotë drejt literaturës perëndimore”, përkatësisht “përpjekja për ndryshimin, jo të kritereve të studimit të dukurive dialektore të shqipes, po të kritereve të paraqitjes dhe klasifikimit të të dhënave dialektore”. Ai vërente kapërcimin nga një paraqitje dhe klasifikim tradicional në një klasifikim mbi bazën e kritereve funksionale a strukturore dhe këtu ai vërente momentin për të të papranueshëm: të njëjtat dukuri të përshkruara më parë me terminologji tradicionale tani kërkohet të jepen me terminologji funksionale a strukturore, duke vënë re po ashtu se ka dallime metodologjike në këtë aspekt dhe në raport me paraqitjet e niveleve fonetike e morfologjike.

Beci ka vërejtjet e tij dhe lidhur me materialet e mbledhura, me mungesat në procedurat e regjistrimit, etj. Përgjithësimi i tij përfundimtar vjen si vijon: “tek ne ka munguar një formim teorik i specializuar në fushën e dialektologjisë”. Edhe për konceptimin dhe hartimin e Atlasit ai vëren se është bërë në kohën e monizmit, “në kushtet e mungesës së lirisë akademik në Shqipëri” me mbështetje në gjuhësinë marksiste, e marksiste-leniniste. Por në fakt ai vërente se kjo nënkuptonte përvojat e gjeografisë gjuhësore lindore.

Vështirësitë në këtë drejtim e bëjnë autorin të konstatojë se “përpjekjet tona në këtë libër për të arritur në përfundime shkencore, nuk mund të vlerësohen si përfundimtare, por si një synim për të shmangur… mangësitë e trajtimeve përgjithësuese të derisotme…, po edhe për të krijuar kushtet për një përqasje të re ndaj kësaj problematike... ”

Libri që përurohet sot paraqet gjithsesi një ndihmesë për këto studime të bërë nga një autor brenda tyre dhe me një përvojë të gjatë studimi në këtë fushë. /Exlibris