Akademia Oskar i kërkon falje aktores Sacheen Littlefeather pas 50 vitesh - Gazeta Express
string(73) "akademia-oskar-i-kerkon-falje-aktores-sacheen-littlefeather-pas-50-vitesh"

Akademia Oskar i kërkon falje aktores Sacheen Littlefeather pas 50 vitesh

Arte

Gazeta Express

17/08/2022 16:26

Gati 50 vjet më parë, Sacheen Littlefeather refuzoi të marrë një çmim Oskar për aktorin Marlon Brando. Ky vendim ka pasur pasoja të rënda për aktoren me gjene indiane. Tani Akademia kërkon falje.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, e cila çdo vit ndan çmimet “Oskar”, i ka kërkuar falje zyrtarisht aktores Sacheen Littlefeather. Marlon Brando i kishte kërkuar aktores me origjinë nga fisi Apache në vitin 1973 që të merrte pjesë në ndarjen e çmimit Oskar në emër të tij. Ajo do të duhej të merrte çmimin për aktorin më të mirë, për rolin e bosit të mafies Don Vito Corleone në filmin “The Godfather”.

Lexo Edhe:

Por Brando e refuzoi çmimin në shenjë proteste ndaj shtypjes së indianëve me origjinë nga Amerika në industrinë e filmit. Brando “për fat të keq nuk mund ta pranojë këtë çmim shumë bujar”, deklaroi në skenë Littlefeather, në emër të aktorit në atë kohë – që u shoqërua me protesta dhe fishkëllima nga shumë të pranishëm.

Pakënaqësi kishte edhe në prapaskenë. Thuhet se ylli i filmave uestern John Wayne, i cili ishte atje, ishte shumë i zemëruar me paraqitjen e Littlefeather. Një numër dëshmitarësh bën të ditur se janë detyruar të ndalojnë aktorin që të mos sulmonte edhe fizikisht Sacheen Littlefeather. Këtë e ka pranuar edhe vet aktorja, e cila më pas u tall, u diskriminua dhe u sulmua në vitet që pasuan. Ajo më nuk kishte pothuasje asnjë ofertë për filma.

Kërkimfalja e vonuar

“Fyerjet që ajo duhej të duronte për shkak të kësaj deklarate ishin të papranueshme dhe të pajustifikueshme”, thuhet në një letër të Akademisë, të shkruar në qershor, e cila u publikua këtë të hënë (15 gusht). “Shqetësimi emocional me të cilin jeni përballur dhe ndikimi që ka pasur kjo në karrierën tuaj është i papranueshëm”, thuhet në letrën e nënshkruar nga presidenti i Akademisë David Rubin. “Guximi” i Littlefeather nuk është vlerëuar për shumë kohë. “Ne sinqerisht kërkojmë falje për këtë dhe në të njëjtën kohë shprehim admirimin tonë të thellë.”

Në të njëjtën kohë me publikimin e letrës, Akademia Oskar i ka dërguar aktores Sacheen Littlefeather edhe një ftesë. Aktorja është ftuar të flasë në një ngjarje në Muzeun e ri të Oskarit në Los Angeles më 17 shtator. Në këtë ekspozitë flitet edhe për kapituj të vështirë – si racizmi apo diskriminimi – në historinë e Holivudit. Në këtë ekspozitë do të flitet edhe për diskriminimin e Littlefeather pas deklaratës së saj në ndarjen e çmimit Oskar në vitin 1973.

Vet aktorja iu përgjigj kërkimfaljes me humor: “Sa i përket kërkimit të faljes nga Akademia, ne indigjenët jemi njerëz shumë të duruar – nga ajo kohë kanë kaluar vetëm 50 vjet!”, tha aktorja me sarkazëm në një deklaratë. Ajo e përshkroi ngjarjen e ardhshme në Los Angeles si një “ëndërr të realizuar”. “Është thellësisht inkurajuese të shohësh se sa shumë kanë ndryshuar gjërat që nga koha kur nuk e pranova çmimin e Akademisë 50 vjet më parë. Jam shumë krenare për çdo person që do të ngjitet në skenë”, nënvizoi Littlefeather./Deutsche Welle

/Gazeta Express