Akademia a.k.a. daci.a - Gazeta Express

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

17/12/2020 11:02

Akademia a.k.a. daci.a

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

17/12/2020 11:02

Nuk mund t’i marr si të mirëqena zgjedhjet brenda saj, duke e shmangur nga kritikat si dhe trajtimi i saj i kursyer nga përditshmëria jonë

Nga: Fisnik Dragusha

Duke qenë vëzhgues i proceseve shoqërore – politike, nuk mund të mos shprehë shqetësimin e thellë për situatën e institucionit më të lartë të dijes – Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Institucionit që në fakt do të duhej të ishte shembull i mirëorganizimit dhe mbarëvajtjes së proceseve brenda. Institucionit, ku defilojnë kokat intelektuale, të cilat në raste optimale do të ndikonin edhe politikat e mira. Në vend të kësaj, brenda këtij institucioni mëkatojnë çdo ditë klube e kasta njerëzish, të rehatuar për “mrekulli” brenda një objekti, të cilit më praninë e tyre i humbin kuptimin dhe qëllimin. 

Mjafton një vizitë në ndonjërën nga databazat (platformat elektronike) si: SCOPUS  (www.scopus.com)  apo në Google Scholar (që është pa pagesë) ku kërkimet janë lehtësisht të krahasueshme. Ai i cili ka dominuar debatin e shkences, ai i cili pretendon që është ekuivalent me nobelistët, z. Nexhat Daci, nga kerkimet e mia modeste, rezulton se ka 21 publikime (2 si autor i parë), me H- index = 7 dhe gjithsej 102 citime. 

Është e udhës të bëjmë një sqarim për laikët, kriteret dhe mekanizmat vlerësues dhe në këtë kontekst po përmendi

·        Hirsch indeksi i cili përfshinë punime të autorit njëkohësisht dhe po aq të cituara. Hirsch- indexi përdoret sot gjerësisht dhe është një nga indikatorët kryesor bashkëkohor për të vlerësuar dhe kategorizuar shkencëtarët;

·        Kategoria e revistave (me impakt faktor)

·        Numri i publikimeve

·        Numri i citimeve

Në vijimësi të këtij sqarimi, para se me qenë akademik, për t’u avansuar profesor ordinar në UP, duhen se paku 5 publikime në Scopus. Për dallim nga universiteti, duke pasë parasysh nivelin, në Akademi do të duhej të vihej si kusht për pretendentet të kenë së paku 10 publikime, si autor i parë në revista ndërkombëtare. 

Në AShAK, që nga pas lufta pothuajse gjithnjë janë zgjedhur antarët pa ndonjë të arritur shkencore.  Kjo ka ndodhur së paku për dy arsye: mungesa e një rregullore, natyrisht jo vetem si e zezë e shkruar mbi të bardhë, po si zgjedhje strikte e kritereve të sipërpermëndura dhe neglizhencës së qeverive që nga pas lufta duke bërë një paqe të heshtur reciproke. 

Përgjegjësia e akademikëve bie njëherë në 4 vite, atëherë kur duhet të ngrisin dorën. Ironia ska të ndalur! Akademia nuk ka paraparë një instancë të ankesave për te pakënaqurit eventual, sepse si askund në botën e zhvilluar, ndjehen mjaftueshem të fuqishem në zgjedhjet e tyre. Së paku të propozohet të krijohet një “Këshill Etike” në nivel të Parlamentit te Kosoves, duke e kursyer AShAK-un nga degradimi i radhës. Akademikët, sidomos udheheqësit e AShAK-ut, duhet ta dijnë, por nëse nuk e dijnë, ja ku po ju them, nuk ju ka mbetur aspak integritet, sidomos intelektual. Nuk jeni ju për të lëpirë këpucët e udhëheqësve shtetëror, vetëm për t’i ruajtuar kolltuqet tuaja. Madje jeni aq të gabueshëm në hapa, sa nuk iu besohet as për orën, lëre për përzgjedhjet plot interesa që bëni.

Nuk mund t’i marr si të mirëqena zgjedhjet brenda saj, duke e shmangur nga kritikat si dhe trajtimi i saj i kursyer nga përditshmëria jonë. Ajo që bie ne sy, duke qenë vëzhgues i zellshëm, është relativizimi i skajshem i kriterit fundamental, punës shkencore  si dhe mohimi në plotëni apo zhveshja nga ana humane. Mënyra e funksionimit të saj, më shumë jep shijen e një organizate, ku krimi është prezent në maja, ku korrupsioni është i theksuar, gjë që madje e pohon edhe kryetari i saj, z. Mehmet Kraja.

AShAK-u, bënë një gabim të tmerrshëm duke mos pranuar një shkëncëtar,  profesor e intelektual të nivelit të Bajram Berisha.  Kurrë nuk ka qenë më e lehtë të bëhet përzgjedhja. Do të bëhej goditje e dyfishtë. Do të pasurohej Institucioni me një shkencëtar dhe do të amnistoheshin sado pak gabimet e tyre. Për publikun një CV e shkurtë: 

I diplomuar në Universitetin e Prishtinës në vitet 1982/1986, për të vazhduar më pas studimet pasdiplomike në Universitetin e Lubjanës në vitet 1988/1992, studimet e doktoratës në Universitetin Teknik të Mynihut në vitet 1997/2001. Habilitimin në Universitetin Teknik të Mynihut 2003-2007 (sqarim për intelektualët e AShAK-ut; habilitimi është parakusht për kualifikim për profesor universitar në Gjermani). Nga viti 2008 është profesor i rregullt i Universitetit të Prishtinës. Nga viti 2009 është profesor vizitor i Universitetit Teknik të Mynihut. 

Deri tani ka botuar 110 publikime shkencore, mbi 70 punime shkencore të publikuara në revistat shkencore që rangohen ndër më të njohurat në bote, gjë që shihet nga impakt faktori i tyre i lartë (në mbi 20 prej tyre është autori i parë).

Punimet e tij deri më tani jane cituar mbi 4180 herë. Autor e bashkëautor i mbi 200 abstrakteve dhe prezantues ose ligjerues i ftuar në konferenca e kongrese nëpër vendet më të zhvilluara.  Autor i dy librave shkencore të publikuara në Gjermani. I nderuar më mirënjohje dhe dekorata te ndryshme. I nderuar me titullin prestigjioz “Ambasador i TUM 2018”. Shkencëtari kosovar i  vitit – përzgjedhur nga MAShT-i. Mentor i dhjetëra studentëve Bachelor dhe Master ne Mynih dhe në Prishtinë. 

Veprimi i AShAK-ut shfaqë hapur dhe në mënyrë tragjike – zhgënjyese funksionimin e saj. Cfarë nënkupton kjo? Ndarje kaq e theksuar e intelektualit, shkencëtarit dhe e personave te afishuar  politikisht. Arritjet e sipërpërmendura nuk janë të mjaftueshme për t’u ngjituar në hierarkinë e vlerave dhe parimeve të dëshiruara nga AShAK-u.

Mënyra e përzgjedhjes përmes votës se fshehur, gjithashtu përbën krim brenda vetes, duke pasë parasysh që flitet për njerëz me arritje shkencore dhe si të tilla janë transparente dhe se forma e tillë e funksionimit jep përshtypje që kemi të bëjmë me persona që kontrabandojnë.

Rreshtimi në anën e gabuar nga Akademiket tanë, përbën një shkelje ligjore, etike, morale, madje do të thosha skandaloze.  Sabotimi i profesionistëve nga institucioni më i lartë është mjaft dëshpërues dhe kjo e keqe konsiston në tendencën e kamuflimit të dijes.  Kritika ndaj AShAK-ut, nuk përbën guxim, kjo duhet të jetë minimumi i ndershmërisë, duke përfshirë mediat, shoqërinë civile etj.

Filozofi francez Blaise Pascal shkruan: ”Është krim të jetosh në qetësi, njëkohësisht duke shkatërruar të vërtetën“.