Akademi përkujtimore për gazetarin Faton Osmani, vajza e tij: Mungesa ndihet çdo ditë, trashëgimia mbetet gjallë - Gazeta Express
string(109) "akademi-perkujtimore-per-gazetarin-faton-osmani-vajza-e-tij-mungesa-ndihet-cdo-dite-trashegimia-mbetet-gjalle"

Lajme

Gazeta Express

11/02/2026 15:32

Akademi përkujtimore për gazetarin Faton Osmani, vajza e tij: Mungesa ndihet çdo ditë, trashëgimia mbetet gjallë

Lajme

Gazeta Express

11/02/2026 15:32

Akademia Përkujtimore për gazetarin dhe themeluesin e Agjencisë së Lajmeve “Ekonomia Online”, Faton Osmani, u përmbyll me fjalimin e vajzës së tij, Enea Osmani, e cila tha se një vit pas ndarjes nga jeta, familja vazhdon ta ndiejë mungesën e tij, ndërsa trashëgimia profesionale mbetet e gjallë në gazetarinë kosovare, raporton Ekonomia Online.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Enea Osmani tha se viti pa të atin ka qenë i mbushur me mall dhe boshllëk, duke theksuar se ai ishte jo vetëm profesionist i rrallë, por mbi të gjitha një baba i përkushtuar ndaj familjes.

Ajo kujtoi se që në fëmijëri kishte ndier lidhjen e fortë mes tij dhe kolegëve në redaksi, të cilën sot e sheh të konfirmuar në respektin që vazhdon t’i ruhet.

“E kam të vështirë t’i gjej fjalët e duhura, sidomos sepse bëhet fjalë për babin. Një vit pa të ka qenë një vit me shumë mall, me shumë boshllëqe dhe sado që flas, nuk besoj se mundem ta përshkruaj atë çka ndjej – dhimbjen që ai s’është më, dashninë e tij që ma mbush edhe sot zemrën, e as krenarinë që e kam pasë një babë si ai. Shumicën prej jush ju njoh. Që kur isha e vogël, shpesh vija në redaksitë ku babi punonte me ju. Ju kujtoj duke buzëqeshur, duke biseduar, madje edhe duke luajtur futboll. Isha fansja ma e madhe e babit. Edhe atëherë, si fëmijë, e ndjeja që ajo që kishit mes vete nuk ishte vetëm kolegialitet, por miqësi e vërtetë”, tha ajo.

Ajo shtoi se përkushtimi më i madh i babait të saj kishte qenë familja, duke treguar se ai ishte gjithmonë pranë saj në çdo hap dhe se e kishte mësuar për dashurinë pa kushte, mbështetjen dhe rëndësinë e balancës mes jetës personale dhe punës.

“Sot, kur ju shoh këtu, e kuptoj që ajo ndjesi që kisha si e vogël ka qenë e vërtetë. E di që e njihni si një profesionist të rrallë, dhe me të drejtë, sepse babi e ka bërë punën me qejf edhe korrektësi, por si çika e tij, e di se përkushtimi më i madh i babit, që ka ardhë krejt natyrshëm, ka qene familja. Që prej ditës që kam lindë, prej hapave të parë, babi ka qenë aty për mu, tu ma tregu çka domethënë me të dashtë dikush pa kushte. Me pasë dikë që të pret kur rrëzohesh, me të  çu në këmbë e me të shty përpara, dikë që ta zbukuron jetën, që ta bon interesante, që t’i ngjyros si me një paletë edhe ditët ma të rëndomta. Shpesh më ka thanë se dita ndahet në tri pjesë: 8 orë gjumë, 8 orë punë dhe 8 për qejfin tënd”, tha ajo nën emocione.

Në fund, Enea Osmani theksoi se trashëgimia që Faton Osmani ka lënë nuk kufizohet vetëm në familje, por shtrihet edhe në profesionin që ai e deshi, në respektin e kolegëve dhe në standardet që vendosi në gazetari, duke thënë se kujtimi i tij jeton në çdo lajm të saktë dhe në çdo parim profesional që vazhdon të mbahet.

 “Po sot, kur e mendoj, më duket që çdo orë e jetës së tij ka shku për familjen tonë. Babi kujtohet çdo ditë. Me dhjetëra herë. Herë me të qeshura, herë me lot. Por gjithmonë me mall. I ndijë ende fjalët e tij. Flas me të çdo ditë. Mundohem me ja qëllu çka kishte me thënë. I kujtoj këshillat e qortimet e tij, mençurinë që e ka nda për lloj-lloj teme, njerzillakun, drejtësinë dhe parimet që i ka përmendë gjithmonë. Për neve, ajo që babi na ka lënë pas e kapërcen kohën dhe nuk shuhet me kalimin e saj. Por sot po e kujtojmë të gjithë bashkë, dhe është një ndjenjë tjetër ta shoh që babi ka lënë gjurmë përtej nesh – në respektin që e ruani për të, në fjalët që u thanë sot për të dhe në profesionin që e deshi aq shumë”, tha ajo.

Faton Osmani ka qenë themelues i Ekonomia Online. Ai u nda nga jeta në moshën 49 vjeçare, më 11 shkurt 2025.

Advertisement
Advertisement
Advertisement