Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, është takuar me deputetin Johannes Volkmann. Për të, Ajeti thotë se do të jetë zë i rëndësishëm për Kosovën.
“Është kënaqësi e veçantë të bashkëpunosh me deputetë gjermanë si Johannes Volkmann, një mik i vendit tonë. Si një nga deputetët më të rinj të Bundestagut, ai do të jetë një zë i rëndësishëm për Kosovën në tempullin e demokracisë gjermane. Fjalimi i tij i parë në Bundestag (më 27 qershor) në mbështetje të Kosovës është dëshmi e qartë e përkushtimit dhe përkrahjes së fuqishme që ai do ta ketë ndaj vendit tonë. Ai fjalim padyshim se e ka zbukuruar mozaikun historik të marrëdhënieve tona bilaterale.”
Ajeti ka thënë se gjyshi i Volmann, kancelari Helmut Kohl, ia kishte mundësuar qeverisë së Kosovës në ekzil të veprojë në territorin gjerman.
“E kur jemi tek historia jonë e përbashkët, me kënaqësi ia rikujtova dhe e falënderova që ishte pikërisht gjyshi i tij, Kancelari Helmut Kohl, ai që mundësoi që atëbotë Qeveria në ekzil e Kosovës të veprojë në territorin gjerman. Gjatë takimit tonë sot, biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy shteteve tona, fuqizimin e diplomacisë parlamentare dhe rrugën transatlantike të Republikës së Kosovës.”