Ajax Amsterdam po përjeton një periudhë të vështirë dhe drejtuesit e klubit holandez tashmë po shqyrtojnë një ndryshim të ri në stafin teknik.
Sipas gazetës “De Telegraaf”, në diskutim janë dy emra për të zëvendësuar trajnerin aktual Francesco Farioli: Paul Simonis, trajneri i tanishëm i Go Ahead Eagles, dhe një fytyrë e njohur për tifozët e Ajaxit – Erik ten Hag.
Një rikthim i mundshëm i ish-trajnerit të Manchester United shihet si një përpjekje për të rikthyer identitetin dhe prestigjin e humbur të klubit. Ten Hag la një gjurmë të pashlyeshme gjatë periudhës së tij të parë në Amsterdam, duke e çuar Ajaxin në majat e futbollit europian dhe duke dhuruar një kampanjë të paharrueshme në Ligën e Kampionëve 2018/19.
Në atë edicion, Ajax mahniti botën me futbollin e tij ofensiv dhe me eliminimin e skuadrave gjigante si Real Madrid dhe Juventus, duke arritur deri në gjysmëfinale. Vetëm një natë magjike nga Lucas Moura me Tottenham pengoi Ajaxin të arrinte finalen në Ëanda Metropolitano.
Tani, me Ajax larg formës më të mirë, rikthimi i Ten Hag shihet si një rreze shprese. Jo vetëm për shkak të sukseseve të tij të mëparshme, por edhe për njohjen e thellë që ka për klubin dhe filozofinë e tij. Aftësia e tij për të zhvilluar talentet e rinj, një nga shtyllat e Ajaxit ndër vite, e bën atë kandidatin ideal për të nisur një fazë të re rindërtimi.
Përballë krizës sportive dhe kërkesës për të rifituar ADN-në e klubit, rikthimi i Ten Hag mund të jetë më shumë sesa një lëvizje taktike – mund të jetë një rikthim i shpresës për një nga klubet më historike të Europës./GazetaExpress/