Ahmeti: Nëse Zaev dhe Mickoski bëhen bashkë, atëherë do të bashkohen edhe shqiptarët - Gazeta Express

Ballina

Gazeta Express

11/07/2020 10:32

Ahmeti: Nëse Zaev dhe Mickoski bëhen bashkë, atëherë do të bashkohen edhe shqiptarët

Ballina

Gazeta Express

11/07/2020 10:32

Nëse lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski bëhen bashkë për të formuar qeveri pa shqiptarët, atëherë do të bashkohen edhe partitë shqiptare. Kështu deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në emisionin “Debatet zgjedhore” në TV21, përcjell Gazeta Express.

“Çfarë do t’i bëjmë zotëri Bilall Kasamit? Këtu e kam hallin më të madh. A ta thërrasim edhe atë të vijë te ne? Eh, do ta thërrasim edhe atë (Kasamin). Nëse kampi maqedonas bëhet bashkë, atëherë edhe ne do të bëhemi bashkë”, u shpreh Ahmeti.

Megjithatë, ai vlerëson se situata pas zgjedhjeve nuk do të jetë aq dramatike në këtë masë, sepse siç tha, “partitë politike do të sillen sipas interesit strategjik të shtetit”.

Ahmeti ka komentuar edhe deklaratat e shpeshta të Zaevit, ku thotë se BDI-ja do të shkojë në opozitë. Ai tha se nuk do të ketë Qeveri pa BDI-në dhe se Reçica e Vogël, duke menduar në selinë e partisë, edhe pas këtyre zgjedhjeve do të vërshohet nga mediat.

“Pas 15 korrikut do të fillojnë negociatat e mëdha. Do të fillojnë tryeza të mëdha. Do të bëhet Reçica e Vogël më e famshmja në rajon. Ashtu siç ndodhi para katër vjetëve, që u shndërrua sikur të jetë selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 50 kamera për një muaj resht kanë qëndruar para BDI-së. Këtu një gjë dihet, se fiton BDI”, theksoi Ahmeti.

Ahmeti ka komentuar edhe parimin “fituesi me fituesin” dhe tha se ky parim u fut në moratorium në vitin 2016, kur BDI refuzoi koalicionin me VMRO-DPMNE-në dhe hyri në Qeveri me LSDM-në.

Ai foli edhe për idenë e kryeministrit shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij në krye të Qeverisë nuk do të jetë Zaevi, por kandidati i tyre Naser Ziberi. Ahmeti vlerësoi se Zaevi dhe Mickovski nuk kanë kapacitet që të përballen me Zyberin.