Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj dy deputetëve të LVV-së, Fitore Pacolli dhe Salih Zyba, të cilët kanë sulmuar Gazetën Express kinse për “përhapje të propagandës ruse”, pasi mediumi ka ripublikuar të plotë një artikull shpjegues për festën e 9 majit që bëhet në Rusi, të shkruar nga Radio Evropa e Lirë, media që financohet nga Qeveria Amerikane dhe që është e dëshmuar në luftën kundër propagandës ruse, shkruan Gazeta Express.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në reagim ka potencuar se është i shqetësuar me vazhdimin e retorikës nxitëse kundër mediave nga ana e partisë politike, Vetëvendosje dhe kanë ftuar partinë në pushtet që të reflektojë përballë një diskursi të tillë kundër mediave.
Teksti që Radio Evropa e Lirë e ka publikuar dje rreth ngjarjes në Rusi
Reagimi i plotë i AGK-së:
AGK-ja dënon gjuhën nxitëse të deputetëve te VV-së Salih Zyba dhe Fitore Pacolli ndaj Gazetës Express
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është i shqetësuar me vazhdimin e retorikës nxitëse kundër mediave nga ana e partisë politike, Vetëvendosje.
AGK-ja dënon fuqishëm gjuhën e deputetit Salih Zyba, i cili në faqen e tij në Facebook, ka shpërndarë një artikull të Radios Evropa e Lirë, i botuar në tërësi si i tillë nga Gazeta Express.
Artikulli fliste për festimet në Moskë të fitores kundër nazizmit, dhe Zyba e përdori për ta sulmuar Gazetën Express, duke shkruar: “Propagandë pro-ruse në Gazeta Express. Zero kritikë për Putinin”.
Të njëjtin postim e ka ndarë edhe deputetja e zgjedhur, Fitore Pacolli që ka shkruar : Halo (sic) AGK! Shihni more çka shkruan deputeti Salih Zyba e ju po fleni!
Sulmet e reja të partisë politike, Vetëvendosje vijnë në kohën kur raporti i Reporterëve pa Kufij, ka konstatuar se rënia e madhe në lirinë e medias në Kosovë, i atriubohet në masë pikërisht sulmeve si këto.
AGK-ja edhe një herë e fton këtë parti politike, që të ndryshojë kursin që minon vazhdueshëm lirinë e medias dhe shprehjes në Kosovë./Express/