AGK kërkon me urgjencë siguri për gazetarët në Veri: Kameramani i RTK-së pësoi lëndime të rënda - Gazeta Express
string(94) "agk-kerkon-me-urgjence-siguri-per-gazetaret-ne-veri-kameramani-i-rtk-se-pesoi-lendime-te-renda"

AGK kërkon me urgjencë siguri për gazetarët në Veri: Kameramani i RTK-së pësoi lëndime të rënda

Lajme

Gazeta Express

16/06/2023 16:06

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit brutal ndaj kameramanit të RTK-së në Veri, duke kërkuar me urgjencë që t’u ofrohet siguri gazetarëve që po raportojnë nga atje.

Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq.

Lexo Edhe:

Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren. Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit, thotë AGK.

Në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e medieve, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV. 

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe  sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”. 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje urgjente Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar aty.

AGK-ja dënon ashpër këtë sulm dhe njëherësh bën të ditur se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.