Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka njoftuar se ata së bashku me një numër të madh të organizatave të shoqërisë civile, kanë dalë në mbështetje të gjashtë redaktorëve të Radio Televizionit të Kosovës, pasi që të njëjtë janë larguar nga drejtimi i emisioneve informative.
Nga AGK konsiderojnë që ky vendim përbën ndërhyrjen e radhës në pavarësinë e transmetuesit publik, dhe është bërë pak kohë pasi këta redaktorë kanë sfiduar me pyetje në emisionet e tyre përkatëse njerëz të pushtetit.
Postimi:
Organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile, qëndrojnë në solidaritet të plotë me gjashtë redaktorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) pas njoftimit se janë larguar nga moderimi i magazinave informative që kanë drejtuar.
Sipas njoftimit të gazetarëve Blerta Foniqi-Kabashi, Meneta Zekaj-Nushi, Jehona Zhitia, Arton Mulliqi, Edona Musa-Mustafa dhe Valon Bajrami ata “janë larguar në mënyrë arbitrare dhe antiligjore”.
Ne konsiderojmë që ky vendim përbën ndërhyrjen e radhës në pavarësinë e transmetuesit publik, dhe është bërë pak kohë pasi këta redaktorë kanë sfiduar me pyetje në emisionet e tyre përkatëse njerëz të pushtetit, dhe pasi kanë ngritur zërin e tyre për vonesat tre javore të pagave.
RTK është ballafaquar me ndërhyrje të vazhdueshme politike ndër vite, dhe në vitet e fundit edhe me shkurtim të buxhetit dhe ndërhyrje politike nëpërmjet emërimeve në menaxhment.
Ne kërkojmë nga menaxhmenti i RTK-së që të anulojë vendimin për largimin e redaktorëve nga ekrani televiziv, dhe çdo ndryshim në të ardhmen të bëhet në dialog me redaktorë dhe duke respektuar kontratat e punës.
Transmetuesi publik ka rol të rëndësishëm për informim të publikut dhe gazetarët, redaktorët dhe pjesa tjetër e stafit të RTK-së duhet të lejohen të punojnë pa presion politik dhe financiar.
Organizatat e shoqërisë civile çmojnë guximin e redaktorëve për të sfiduar publikisht vendimet arbitrare dhe cenzuruese, dhe u ofrojnë përkrahje në ndjekjen e rrugëve ligjore për të anuluar vendimin që i largon ata nga ekrani televiziv.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës
Flutura Kusari
OJQ Pishtarët
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD)
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
Rrjeti i Grave të Kosovës
Lëvizja FOL
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Instituti i Kosovës për Drejtësi
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë
Community Building Mitrovica
CEL Kosova
Democracy Plus (D+)
Kosova – Women 4 Women
Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED)
YMCA Movement
ÇOHU/Preportr
Instituti Sekhmet
Instituti Demokratik i Kosovës
Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS