Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim “me vazhdimin e retorikës së papranueshme nxitëse kundër gazetarëve nga ana e Vetëvendosjes”.
“AGK-ja dënon fuqishëm sulmin personal dhe familjar, që zyrtarja e kësaj partie politike, Dejona Mihali ka bërë kundër gazetarit, dhe autorit të emisionit ‘Rubikon’, Adriatik Kelmendi”, thuhet në një reagim të AGK-së.
“Mihali, sikurse zyrtarë të tjerë të VV-së në këtë mënyrë kanë vazhduar me sulme të rënda ndaj gazetarëve dhe medieve, menjëherë pas publikimit të raportit të Reporterëve Pa Kufij, që e rangon Kosovën në vendin e 99-të për lirinë e medias”, thotë AGK.
Reagimet e Vetëvendosjes dhe zyrtarëve të saj, AGK-ja thotë se “kanë nxitur qindra komente me fjalor kërcënues ndaj gazetarëve, mediave dhe AGK-së në tri ditët e fundit”.
“AGK-ja edhe një herë e fton këtë parti politike, që të ndryshojë kursin për minimin e vazhdueshëm të lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë”, thuhet në reagim.