AGK dënon "përjashtimin abritrar nga ekrani" të gjashtë gazetarëve të RTK-së - Gazeta Express
string(74) "agk-denon-perjashtimin-abritrar-nga-ekrani-te-gjashte-gazetareve-te-rtk-se"

Lajme

Gazeta Express

25/08/2025 22:28

AGK dënon “përjashtimin abritrar nga ekrani” të gjashtë gazetarëve të RTK-së

Lajme

Gazeta Express

25/08/2025 22:28

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka thënë të hënën se e ka pranuar me shqetësim atë që e ka quajtur përjashtim arbitrar nga ekrani të gjashtë gazetarëve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Përmes një postimi në Facebook, AGK-ja ka thënë se gjashtë gazetarët – Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Arton Mulliqi, Edona Musa Mustafa, Jehona Zhitia dhe Valon Bajrami – janë larguar nga moderimi i emisioneve të tyre përmes një vendimi që u është komunikuar të premten e javës së kaluar.

“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë vendim arbitrar të menaxhmentit të RTK-së, që paraqet një nivel të paprecedentë të censurës në transmetuesin publik”, ka thënë kjo organizatë, duke konsideruar se gazetarët në fjalë “janë ndëshkuar” për punën e tyre “të pandikuar politikisht dhe për ngritjen e zërit për vonesën e pagave”.

“Kjo është një dëshmi e re të shqetësimit të ngritur me kohë nga AGK-ja, se menaxhmenti aktual është vënë në shërbim të plotë të Qeverisë Kurti, dhe partisë politike në pushtet, Vetëvendosje”.

Qeveria në detyrë e Kosovës nuk ka reaguar rreth këtij pretendimi, dhe as RTK-ja nuk ka dalë me qëndrim zyrtar për këtë rast.

Të gjashtë gazetarët kanë dalë me një reagim publik duke thënë se kanë kërkuar takim me menaxhmentin e RTK-së, por nuk kanë marrë përgjigje pse është marrë ky vendim ndaj tyre.

“Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional”, është thënë në reagim.

Ata kanë përmendur se ndërhyrja në skemën programore është vendim arbitrar dhe i paligjshëm pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka bord funksional.

Të gjashtë gazetarët kanë paralajmëruar se do t’i ndjekin rrugët ligjore për t’i mbrojtur të drejtat e tyre.

Edhe ekspertja kosovare e medias, Flutura Kusari e ka përshkruar këtë vendim si “censurë me motive të pastra politike”.

Vonesat e pagave

Javëve të fundit, RTK-ja është përballur me krizë financiare, për shkak të mosalokimit të pjesës së dytë të buxhetit të tij vjetor, si pasojë e moskonstitumit të Kuvendit të Kosovës.

Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove, ndërsa këto mjete i ndahen nga Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Më 15 gusht, Qeveria në detyrë e Kosovës ka bërë të ditur se e ka miratuar në parim kërkesën e RTK-së për kredi në vlerë prej mbi 2.5 milionë euro, që mundëson ndihmën financiare për transmetuesin deri në konstituimin e Kuvendit.

Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare që merren me të drejtat e gazetarëve, por edhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të gjejnë një zgjidhje për krizën financiare në RTK. /REL