Agjenti Jorge Mendes ka siguruar se klienti i tij, Lamine Yamal, është në rrugën e duhur, mes diskutimeve se ai është shpërqendruar gjatë muajve të parë të sezonit.
18-vjeçari është kritikuar shumë kohët e fundit për paraqitjet e shpeshta në media, veçanërisht për komentet e tij para “El Clásicos”.
Nga Barcelona ka ardhur një mesazh qetësie, por raportohet se klubi ka tentuar t’i kufizojë daljet publike të Lamine Yamal kohët e fundit.
Vetë lojtari i kombëtares spanjolle ka reaguar pas ndeshjes së mirë kundër Club Brugge të mërkurën, duke i quajtur “gënjeshtra” disa nga lajmet që janë shkruar për të.
Megjithëse ka menaxhuar edhe Cristiano Ronaldon në të kaluarën, Mendes u shpreh i habitur nga kritikat që Yamal ka marrë së fundmi.
“Nuk e kuptoj gjithë këtë zhurmë rreth Lamine Yamal. Të gjithë kemi qenë 18 vjeç dhe të rinj. Siç tha edhe presidenti Laporta, ajo që duhet të bëjmë është ta mbështesim dhe ta ndihmojmë sa më shumë, sepse ai është një pasuri e madhe për klubin. Lamine është lojtari për të cilin po flitet në mbarë botën; ekziston një konsensus se ai është një futbollist i jashtëzakonshëm si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen,” tha ai për Mundo Deportivo.
“Të kesh gjithë botën që të shikon është një përgjegjësi e madhe dhe një presion i madh. Ai po e menaxhon shumë mirë, dhe duhet të vazhdojmë ta ndihmojmë. Një mënyrë për ta bërë këtë është të përqendrohemi vetëm tek puna.”
Pika më e nxehtë ndodhi para “El Clásicos”, kur Lamine Yamal, në mënyrë ironike, tha se Real Madridi ‘vjedh ndeshje’.
Kjo ndezi reagime te “Los Blancos”, dhe Mendes u duk se donte të shmangte incidente të ngjashme në të ardhmen.
“Lamine e di saktësisht çfarë duhet të bëjë si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, dhe këtë po bën: po punon në heshtje dhe po flet pak. Ai është një djalë shumë inteligjent dhe punëtor. Ka një problem të vogël fizik që po e trajton me klubin për ta zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme ndërkohë që luan, dhe kjo është më e rëndësishmja – që të rikuperohet mirë dhe të ndihmojë sa më shumë ekipin.”
“Ai është shumë i zgjuar dhe mëson çdo ditë. Të flasë pak dhe të përqendrohet në punë është çelësi. Gjëja më e mirë që bën Lamine është se lë fushën të flasë për të; ai e bën këtë si askush tjetër, siç e pamë në ndeshjen kundër Brugge. Në çdo ndeshje, ai krijon të paktën një vepër arti – diçka që mund ta arrijë vetëm dikush i destinuar për majat e futbollit”, përfundoi ai./GazetaExpress/