Agjenti i sulmuesit të Interit, Francesco Pio Esposito, ka deklaruar se klubi zikaltër e vlerëson aq shumë lojtarin e tij, sa ka refuzuar kohët e fundit oferta në rreth 50 milionë euro për 20-vjeçarin, si dhe një marrëveshje shkëmbimi që përfshinte sulmuesin e Atalantës, Ademola Lookman.
Sipas Calciomercato.com, Esposito pritet të qëndrojë me ekipin e parë të Interit për sezonin 2025–26, pasi kaloi dy sezonet e fundit në huazim te Spezia në Serie B, ku sezonin e kaluar shënoi 17 gola në 35 ndeshje kampionati.
Tani, ai do të garojë për minuta në repartin ofensiv të Interit, i cili aktualisht përfshin Lautaro Martinez, Marcus Thuram, Ange-Yoan Bonny, Mehdi Taremi dhe ndoshta edhe Ademola Lookman, nëse ky i fundit transferohet deri në fund të merkatos verore.
Football Italia raportoi gjatë fundjavës se Inter ka refuzuar oferta nga Manchester United dhe Atalanta për Espositon gjatë këtij afati kalimtar. Ndërkohë, agjenti i tij, Mario Giuffredi, ka zbuluar për Radio CRC se Inter ka refuzuar oferta konkrete prej 50 milionë eurosh për qendërsulmuesin e ri, si dhe një propozim shkëmbimi me Lookman.
“Inter është e vetëdijshme për vlerën e Pio Espositos, aq sa ka refuzuar oferta prej 50 milionë eurosh,” tha Giuffredi, i cili përfaqëson gjithashtu edhe emra si Mattia Zaccagni, Giovanni Di Lorenzo dhe Matteo Politano.
Ai shtoi: “Atalanta gjithashtu kishte propozuar një shkëmbim me Lookman për Pio Espositon.”
Giuffredi e sqaroi se: “Marrëveshja për Lookman nuk bie ndesh me Pio Espositon, pasi ata kanë karakteristika të ndryshme – Pio është një tjetër profil nga sulmuesi i Atalantës.”/GazetaExpress/