Agjenti i Salahut flet për të ardhmen e egjiptianit, pas konfirmimit të largimit nga Liverpooli - Gazeta Express
string(94) "agjenti-i-salahut-flet-per-te-ardhmen-e-egjiptianit-pas-konfirmimit-te-largimit-nga-liverpooli"

Futboll

Gazeta Express

24/03/2026 21:40

Agjenti i Salahut flet për të ardhmen e egjiptianit, pas konfirmimit të largimit nga Liverpooli

Futboll

Gazeta Express

24/03/2026 21:40

Agjenti i Mohamed Salahut, Ramy Abbas Issa, ka reaguar në rrjetet sociale për të dhënë një përditësim mbi të ardhmen e lojtarit, pasi sulmuesi konfirmoi se do të largohet nga Liverpooli në fund të sezonit 2025/26.

Salah, 33 vjeç, e bëri të ditur përmes një videoje në rrjetet sociale se do t’i japë fund aventurës në “Anfield” pas nëntë vitesh.

Ai u transferua nga Roma në vitin 2017 dhe konsiderohet një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e klubit, duke renditur i treti në listën e golashënuesve më të mirë të Liverpoolit, pas Ian Rush dhe Roger Hunt.

Me 255 gola për Liverpoolin, reprezentuesi egjiptian ka ndihmuar skuadrën të fitojë dy tituj të Premierligës, Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube, Superkupën e UEFA-s, FA Cup, dy Kupa të Ligës (Carabao Cup) si dhe FA Community Shield.

Në një video emocionale lamtumire, Salah u shpreh:

“Fatkeqësisht, ka ardhur dita. Kjo është pjesa e parë e lamtumirës sime. Do të largohem nga Liverpooli në fund të sezonit.

Doja të them që në fillim se kurrë nuk e kisha imagjinuar sa thellë ky klub, ky qytet dhe këta njerëz do të bëheshin pjesë e jetës sime.

Liverpooli nuk është vetëm një klub futbolli. Është pasion, histori dhe një shpirt që nuk mund ta përshkruaj me fjalë për ata që nuk janë pjesë e tij.

Festuam fitore bashkë, fituam trofetë më të rëndësishëm dhe luftuam së bashku në momentet më të vështira”, tha ai.

Duke folur për tifozët, ai shtoi: “Nuk kam mjaftueshëm fjalë. Mbështetja që më keni dhënë, si në momentet më të mira të karrierës sime, ashtu edhe në ato më të vështirat – është diçka që nuk do ta harroj kurrë. Do ta mbaj gjithmonë me vete. Largimi nuk është kurrë i lehtë. Ju më dhatë kohën më të bukur të jetës sime. Unë gjithmonë do të jem njëri prej jush. Për shkak të jush, unë kurrë nuk do të eci vetëm”.

Megjithatë, mbetet e paqartë se cili do të jetë destinacioni i radhës për Salahun.

Pavarësisht lidhjeve të vazhdueshme me një transferim në Arabinë Saudite apo së fundmi në MLS, agjenti i tij ka deklaruar se ende nuk ka asnjë vendim.

Në një postim në “X”, Issa shkroi: “Nuk e dimë se ku do të luajë Mohamedi sezonin e ardhshëm. Kjo do të thotë se askush tjetër nuk e di. Kujdes nga ata që kërkojnë vëmendje me lajme të rreme”.

Ndërkohë, Liverpooli do të rikthehet në aksion më 4 prill, kur do të përballet në transfertë me Manchester Cityn në çerekfinale të FA Cup./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement