Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka kërkuar mediave respektimin e detyrimeve ligjore të përcaktuara me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, respektivisht privatësinë e udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Agjencia nëpërmjet një reagimi dërguar mediave, thotë se ka pranuar njoftime dhe shqetësime të ngritura nga qytetarët e Republikës së Kosovës, që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, si destinacion të udhëtimeve, për praninë e mediave dhe gazetarëve në hapësirat e Aeroportit dhe publikimin e xhirimeve të realizuara.
“Të respektohet mbrojtja e privatësisë, veçanërisht në situata të ndjeshme personale apo familjare, të shmangën regjistrimet ose publikimet pa marrjen e pëlqimit të qytetarëve, të koordinohen xhirimet apo intervistat me autoritetet përkatëse në aeroport, të përmbaheni nga raportimet sensuale që mund të cenojnë dinjitetin apo të drejtat personale të udhëtarëve”, thuhet në njoftim.