Agjencia e Menaxhimit Emergjent: Nëse rritet numri i zjarreve, do të ketë vështirësi për reagim - Gazeta Express
string(93) "agjencia-e-menaxhimit-emergjent-nese-rritet-numri-i-zjarreve-do-te-kete-veshtiresi-per-reagim"

Lajme

Gazeta Express

22/07/2025 15:37

Agjencia e Menaxhimit Emergjent: Nëse rritet numri i zjarreve, do të ketë vështirësi për reagim

Lajme

Gazeta Express

22/07/2025 15:37

Shtatë zjarre aktive janë aktualisht në të cilat është duke u punuar që të shuhen, por nëse numri i zjarreve rritet në masë të madhe atëherë do të ketë vështirësi për reagim.

Kështu deklaroi drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), Genc Metaj, në një konferencë për media sot.

“Kushtet aktuale në teren mund të ndikojnë në përhapje të reja, por ne jemi duke i ndërmarrë të gjitha veprimet dhe koordinimet e nevojshme që të përballojmë çdo sfidë të re, por nëse numri rritet në masë të madhe atëherë paraqiten vështirësi për reagim nga  Njësitë e Zjarrfikjes”, tha ai.

Ai tha se vetëm gjatë javës së të fundit janë raportuar mbi 320 raste të zjarreve, duke përfshirë zjarre malore, fushore si dhe në objekte, në të cilat tha se kanë intervenuar me sukses.

“Pas intervenimeve dhe koordinimit të suksesshëm, gjendja aktuale është stabile. Momentalisht i kemi 7 zjarre aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen plotësisht. Ky numër i madh dhe pasojat e mundshme që mund të sjellin këto zjarre janë alarmante”, tha ai.

Ai tha se AME, në koordinim të plotë me njësitë e zjarrfikjes në terren, Qendrat Operative Emergjente 112, Policinë e Kosovës, Ministrin e Punëve të Brendshme si dhe me autoritetet lokale, është e angazhuar “maksimalisht dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për ta menaxhuar situatën dhe për të parandaluar çdo pasojë nga situata e krijuar”.

“Si rezultat i kësaj situate, fatkeqësisht, kemi humbur një zjarrfikës nga Njësia e Gjakovës dhe një qytetar nga komuna e Klinës. Për momentin i kemi të lënduar dy zjarrfikës një në Njësinë e Lipjanit dhe një në njësinë e Vitisë. Duhet te ritheksohet vendimi i Ministri i Punëve të Brendshme, Z. Xhelal Sveçla, me të cilin ndalohen të gjitha format e ndezjes së zjarreve në të gjithë territorin e vendit, qofshin ato edhe për rekreacion, piknik apo ndezje të fishekzjarrëve. Çdo neglizhencë, qëllim apo pakujdesi në ndezjen e zjarreve, do të trajtohet me seriozitet dhe do të pasohet me veprime ligjore sipas legjislacionit në fuqi”.

Ai ka bërë thirrje te qytetarët për kujdes dhe bashkëpunim me autoritetet.

“Edhe njëherë apelojmë tek të gjithë qytetarët për kujdes maksimal dhe për bashkëpunim të ngushtë me autoritetet, me qëllim të përbaltjes me sukses të situatës. Në fund, shprehë mirënjohje dhe falënderim për Zjarrfikësit, Stafin e AME-së, QOE112, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policin e Kosovës, institucionet lokale dhe qytetaret për bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve. Bashkëpunimi ndërinstitucional është në nivelin e duhur, por sfidë mbetet vetëdijesimi i qytetareve.  Kjo çështje nuk do të mbetet nën mëshirën e fatit, por janë duke u ndërmarr veprime të koordinuara  për të parandaluar ketë dukuri të dëmshme që vë në rrezik Jetën e qytetarëve, pasuritë publike dhe private”.