Agim Kasapolli flet për sfidat e sportit dhe për gazetarinë sportive - Gazeta Express
string(68) "agim-kasapolli-flet-per-sfidat-e-sportit-dhe-per-gazetarine-sportive"

Sport

Gazeta Express

04/07/2023 10:01

Agim Kasapolli flet për sfidat e sportit dhe për gazetarinë sportive

Sport

Gazeta Express

04/07/2023 10:01

Ikona e gazetarisë sportive, Agim Kasapolli, ka qenë mysafir në televizionin T7, respektivisht në emisionin “Majtas jo Djathtas”, i cili drejtohet nga prezantuesit Alisa Braho e Shkodran Hoti.

Veterani i gazetarisë shqiptare i ka shpalosur disa tema, përfshirë këtu sfidat nëpër të cilat përballet sporti kosovar dhe për rrugën që duhet ta ndjek ai për të arritur deri tek suksesi.

Gjithashtu, aktualisht gazetari më i vjetër sportiv në Kosovë foli edhe për gjendjen e gazetarisë sportive në vend, shkruan “Gazeta Express”.

Fillimisht, Kasapolli e kujtoi rrugëtimin e tij në gazetari, përfshirë këtu eksperiencën në disa media të shkruara, por që e pranoi se gazetarinë televizive e ka në zemër.

Ai e kujtoi një rast sa ishte pjesë e televizionit publik në vitet e para të pasluftës, ku thotë se i kushtoi me largim nga puna zbulimi i një skandali që po tentohej të bëhej në atë kohë nga menaxhmenti i RTK-së.

“Në televizion në atë kohë është bërë një hajni. Televizioni publik i kishte blerë të drejtat televizive të Botërorit 2002 në futboll nga një televizion serb në mënyrë klandestine. U tha se do të paguheshin 512 mijë euro, ndërsa unë e zbulova se e kishin blerë për 61 ose 62 mijë euro. Mandej mu kanë vërsul dhe më nxorën nga puna. Më është dashur që të shkoj nëpër gjyqe, i kam fituar të gjithë deri në gjyqin suprem, i cili hodhi poshtë çdo gjë. Kjo flet se ende nuk kemi gjyqësi. Mbrapshtë është nisur dhe për këtë nuk po na shkojnë punët edhe aq mirë”, thotë Kasapolli, i cili para luftës ishte kryetar i sindikatës së Radio Televizionit të Prishtinës.

Më 2 korrik ishte dita botërore e gazetarisë sportive, ndërsa Kasapolli i tha disa fjalë edhe për gjendjen e gazetarisë sportive në vend, të cilën e quan si katastrofale dhe të mjerueshme.

Kasapolli e kritikoi edhe udhëheqësinë aktuale të Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, duke konsideruar se mandati i tyre është jolegal.

Ai në emision zbuloi se ka qenë kryetari i parë i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, duke insistuar se në atë kohë s’ka pasur shanse të bëhen keqpërdorime me mjete sikur tash.

Ai tutje foli edhe për Federatën e Futbollit të Kosovës, për udhëheqësinë e së cilës u shpreh se duhet të shkojë në shtëpi dhe të lirojë vend për ata që dinë dhe që e duan sportin, duke i përmendur figurat e shquara të futbollit kosovar që kanë bërë karrierë të bujshme në Evropë, e që e kanë vendin në këtë institucion.

“Pse nuk i afrojnë njerëzit? Këta që janë brenda në Federatë nuk e lënë askënd t’ju afrohet te ndërtesa. Ata që dinë të punojnë ju pengojnë, këta të gjithë janë të paaftë, i kanë blerë votat. I kanë blerë edhe gazetarët, të cilët marrin rroga në redaksitë e tyre dhe nëpër Federata, që është konflikt interesi dhe duhet të gjykohen për këtë”, shton Kasapolli.

Sa i përket ministrit të Sportit, Hajrulla Çeku, veterani i gazetarisë sportive thotë se, edhe pse e ka votuar, ai ka dalë të jetë “veç ministër i premtimeve, por që Kosova nuk ka kohë të presë më”.

Kasapolli e kritikoi ministrin për takimet që i kishte me klubet për të dalë nga situata që ishte krijuar muaj më parë sa i përket licencimit të FFK-së nga MKRS-ja.

“Ka shkuar të bisedojë me klube që udhëhiqen nga fajdexhinj. Në Kosovë shiten ndeshjet. A e keni parë atë golin (në ndeshjen Ferizaj – Dukagjini)? Nuk mbahet shteti me hile”, nënvizon Kasapolli.

Sa i përket xhudos, ai mendon se ky sport është aq përpara sporteve të tjera në Kosovë, sa toka me diellin.

Sukseset e Majlindës, Norës e Distrisë i konsideron si të jashtëzakonshme, por e përgëzoi edhe trajnerin Driton Kuka për punën e bërë, duke insistuar se dallimi mes xhudos dhe sporteve të tjera në Kosovë është 100 vjet.

“Atë çka e kanë bërë Majlinda, Nora e Distria në afirmimin e Kosovës, nuk e ka bërë krejt diplomacia e Kosovës”.

Gjatë emisionit, Kasapolli u ndal të flasë edhe për eksperiencën e tij si trajner i basketbollit dhe për sukseset që i ka arritur në këtë sport, si lojtar dhe si trajner.

Kritika pati edhe për krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndërsa për kryetarin Arben Fetahu tha se nuk është legjitim, duke shtuar se në këtë Federatë vetëm ndërrohen karriget.

“Pa i larguar matrapazët prej Federatave, kurrë ky vend nuk mund të ecë përpara”, vazhdon ai.

Kasapolli u shpreh se në basketboll nuk është punuar fare dhe për këtë arsye ka rënë ky sport në këtë nivel, duke u mbajtur nga të huajt pasi puna me lojtarët vendorë dhe hapësira për ta ka qenë zero.

E Komitetin Olimpik të Kosovës e konsideron si të shpifur, ndërsa i përmendi delegacionet “e fryra” të Kosovës në pjesëmarrjet e kaluara në Lojërat Olimpike.

Ndonëse ishte gëzuar për ndërrimet që u bënë në krye të KOK-ut, ai ka mbetur i zhgënjyer edhe me udhëheqësinë e re pasi thotë se anëtarët e Bordit janë të njëjtë dhe nuk e kanë lënë avancimin e këtij institucioni.

Kasapolli propozon që Ministria e Sportit ta bëjë një dekret, përmes së cilit ua ndalon krerëve të Federatave apo edhe të KOK-ut që t’i mbajnë më shumë se tri mandate.

Për të ecur përpara sporti, Kasapolli propozon që të bëhen reforma.

E në fund, ai e konsideron Granit Xhakën si futbollistin më të mirë në botë momentalisht në pozitën që e mbulon ylli kosovar. /Gazeta Express/