Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është shprehur optimist se të martën mbrëma (31 mars) do të shkruhet historia për kombëtaren e Kosovës.
Pas fitores së madhe ndaj Sllovakisë të enjtën e 26 marsit, kombëtarja e Kosovës e siguroi një vend në finalen e “play-offit” për Kupën e Botës 2026, që mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.
Në një intervistë për “Radio Kosovën”, i pari i futbollit kosovar, Agim Ademi ka thënë se beson në kualifikimin e Kosovës tutje, teksa i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve nga të gjitha trevat për përkrahje atë ditë.
“Shpresoj të kemi shqiptarët nga të gjithë trevat sepse të martën Kosova, shpresoj dhe besoj do të bëjmë historinë. Ta bëjmë krenar këtë popull. Biletat janë shitur brenda dy orëve. Fatkeqësisht kanë qenë afro 10 mijë bileta sepse të tjerat kanë qenë për turqit. Rregullat e UEFA-s për eliminatorët është që të ketë më shumë turq, prandaj është dashur t’iu japim. Të përkrahim shtetin në këtë ditë sepse në 90 minuta do të vendoset nëse jemi pjesë e arenës botërore ose jo”, ka thënë ai për “Radio Kosovën”.
Agim Ademi tutje tha që biletat e ndeshjes së finales të “play-offit” të Botërorit ndaj Turqisë, mos të keqpërdoren.
“Fadil Vokrri është aq i vogël dhe nuk ka kapacitet, nuk kemi nga të dalim pavarësisht kërkesave për bileta. Uroj dhe shpresoj që festa të mos bëhet në stadium, por si festë e historisë të jesh në shesh, pranë televizorit në ekran ose në kafenë tona. Duhet të lirohemi prej kësaj që të jemi në stadium, është fatlum ai që ka blerë biletë. Ju lutem mos i keqpërdorni biletat, edhe në rast që e jepni, atëherë jepni në familjen tuaj dhe jo te kojshitë, pra të mos bëhen më shumë turq. Ju lus që të vini me pozitivitet dhe t’i përdorni për Kosovën, të vini me një zë më shumë për gladiatorët tanë. E di që nuk mund t’iu mundësoj të gjithëve për bileta, besoni që nuk ka asnjë biletë të vetme”, ka deklaruar Ademi në vazhdim.
Ndeshja Kosovë – Turqi do të zhvillohet më 31 mars, dhe do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Fituesi i ndeshjes do të sigurojë biletën për në SHBA, për Kupën e Botës 2026./GazetaExpress/