Afro 800 familje me asistencë sociale në Prishtinë - Gazeta Express
string(50) "afro-800-familje-me-asistence-sociale-ne-prishtine"

Lajme

Gazeta Express

05/08/2025 9:08

Afro 800 familje me asistencë sociale në Prishtinë

Lajme

Gazeta Express

05/08/2025 9:08

Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se ka një rënie të përfituesve të skemës për ndihmë sociale në -12.9%. Kjo për shkak të migrimit por edhe për shkak të ndryshimit të kritereve për përfitim nga këto ndihma.
Nga mbi 19 mijë persona sa ishin në listën e ndihmës sociale vitin e kaluar, sivjet në këtë listë figurojnë afro 17 mijë. Vetëm në komunën e Prishtinës janë rreth 800 familje me asistencë sociale.

Për çdo ditë në rrugët e Prishtinës 23 vjeçari mbledhë e kanoçe të cilat mundohet ti shes për të përfituar sado pak prej tyre, në mënyrë që të mbajë familjen, barrë kjo e cila i ka rënë mbi supe tash e sa kohë.

“…për ditë munohna me shitë kanaqe në Prishtinë. Jom fëmija ma i madh, babën e kam të smutë. Po tutemi që edhe pak ditë na nxjerrin prej shtëpisë me qira që jemi…”

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në qershor të këtij viti janë regjistruar afro 17 mijë përfitues të skemës për ndihmë sociale, shifër kjo që shënon një rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në muajin qershor të këtij viti krahasuar me qershorin e vitit paraprak kishte rënie të numrit të përfituesve nga disa skema, përderisa skema e ndihmës sociale ka rënie për -12,9%, ku në qershor të 2024-tës kishte mbi 19 mijë përfitues, ndërsa këtë vit afro 17 mijë.”

Në Prishtinë janë rreth 800 familje që jetojnë nga ndihmat.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në kryeqytet, Adelina Sahiti thotë se rënia e numrit të përfituesve si rrjedhojë e migrimit por edhe e shtrëngimit të kritereve të skemës sociale.

“…aktualisht në kryeqytet kemi 790 familje që janë pjesë e skemës sociale. Kujtoj se para 4 viteve kanë qenë rreth 1500 familje. Kështu që kemi një rënie të familjeve me asistencë sociale. Kemi rënie të këtij numri duke pasur parasysh edhe migrimin, por edhe kriteret që janë shtrenguar për të qenë pjesë e skemës sociale. Janë këto verifikime që dalim dhe i bëjmë në terren dhe mundësitë e reja për punësim edhe pse jemi mes një vale të rritjes së çmimeve…”, tha Sahiti.

Gjendja e rëndë ekonomike sipas sociologut Ragip Fetahu, ndikon tek qytetarët edhe në aspektin emocional. Ai thotë se Kosovës i mungojnë politikat e mirëfillta për të luftuar varfërinë.

Sipas Agjencisë së Statistikave, shkalla e papunësisë në Kosovë është 10.9%. Ndërsa shkalla e varfërisë nuk është përditësuar që nga viti 2017.