string(88) "afera-partizani-zgjidhet-treshja-e-gjyqtareve-qe-do-gjykojne-berishen-dhe-dhendrin-e-tij"

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 13:07

Afera ‘Partizani’ – Zgjidhet treshja e gjyqtarëve që do gjykojnë Berishën dhe dhëndrin e tij

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 13:07

Është hedhur shorti për treshen e gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjen ‘Partizani’.

Gjyqtarja e Posaçme Elsa Ulliri do jetë kryesuesja e trupës gjykuese për dosjen e aferës Partizani, e cila tashmë ka kaluar për gjykim me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin Jamarbër Malltezi dhe 3 bashkëpunëtorët e tyre.

Shorti u hodh sot në GJKKO, ndërsa gjyqtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloj janë dy anëtarët e tjerë të trupës gjykuese. Kjo treshe gjyqtarësh do të duhet të përcaktojë brenda 10 ditësh datën e seancës së parë të gjyqit në themel.

Sipas aktakuzës zyrtare, Sali Berisha akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, kryer në bashkëpunim”, bazuar në nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal. Sipas SPAK, Berisha ka favorizuar procesin e privatizimit dhe më pas zhvillimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në interes të dhëndrit të tij, duke keqpërdorur funksionin publik.

Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës, përballet me dy akuza:

“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë, kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 260” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale, në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, sipas nenit 287 të Kodit Penal”.

Sipas SPAK Malltezi ka përfituar në mënyrë të parregullt pronën publike dhe ka kryer transaksione financiare që synonin të fshihnin origjinën e paligjshme të të ardhurave të siguruara nga kjo skemë.

Me Berishën dhe Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i akuzuar “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan. Në gjyq janë çuar edhe kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”, të tria për pastrim parash.