Afër kompromisit në Këshill, liberalizimi i vizave "pas disa javësh" në nivel ambasadorësh - Gazeta Express
string(87) "afer-kompromisit-ne-keshill-liberalizimi-i-vizave-pas-disa-javesh-ne-nivel-ambasadoresh"

Afër kompromisit në Këshill, liberalizimi i vizave “pas disa javësh” në nivel ambasadorësh

Lajme

Gazeta Express

23/11/2022 9:35

Këshilli i Bashkimit Europian është shumë afër kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe në javët e ardhshme procesi do të zhvendoset në nivel më të lartë të ambasadorëve.

Kështu ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësja e Presidencës çeke e BE-së, Eva Hrncirova, e cila tha sërish se data për të cilën janë duke punuar që më në fund kosovarët të udhëtojnë lirshëm është 1 janari i 2024-ës.

Lexo Edhe:

“Ne jemi shumë afër një kompromisi në Këshill për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe në javët e ardhshme ai do të zhvendoset në nivel të ambasadorëve. Data për të cilën po punojmë për zbatimin e udhëtimit lirshëm aktualisht është 01.01.2024”.

Dje është mbajtur mbledhja e Grupit Punues për Vizat në Bruksel ku në agjendë kishte diskutimin për liberalizimin e vizave të Kosovës.

Kjo është hera e tretë që këtë muaj ky Grup Punues diskuton për vizat e Kosovës. Në takimet e mbajtura nuk pati qëndrim të unifikuar të shteteve anëtare, përveç se u përmend ndërlidhja e procesit të vizave me sistemin “ETIAS”.

Ndërkaq, pas takimit të dytë të Grupit Punues u raportua se dy shtetet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, Spanja dhe Sllovakia, mund të jenë dy shtetet që kanë dhënë vërejtje e kanë kërkuar sqarime për liberalizimin e vizave për Kosovën në të ashtuquajturën procedurë të rregullt, duke e ndërprerë këtë procedurë dhe duke penguar që propozimi të marrë dritën e gjelbër.

Por, këtë e ka mohuar Sllovakia, e cila në një përgjigje për Gazetën Express tha se në takimin e 10 nëntorit ka bërë një propozim për një pjesë të tekstit, por se ajo është e angazhuar në procesin përgatitor.

“Sllovakia ka ofruar një propozim-draft në kuadër të procesit të rregullt të draftimit në Këshill për të përmirësuar një pjesë specifike procedurale të tekstit. Në këtë mënyrë Sllovakia nuk ka thyer procedurën e heshtur apo të shkruar sepse nuk ka pasë një procedurë të tillë për ta thyer. Procesi përgatitor vazhdon nën drejtimin e Presidencës Çeke dhe Sllovakia do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive”, thuhet në përgjigje.

Për Gazetën Express gjithashtu ka folur edhe Spanja, por duke refuzuar që të zbulojë nga ky proces.

“Ne vetëm mund të themi se ne nuk mund të komentojmë negociatat në vazhdim”, thotë shkurt MPJ e Spanjës.

Derisa, shteti i Holandës më në fund ka lëvizur nga qëndrimi skeptik për të përkrahur liberalizimin e vizave për Kosovën pas raportit të përditësuar të Komisionit Europian për Kosovën.

Në përgjigjen e fundit, Presidenca çeke ishte deklaruar për procesin e vizave, duke thënë se do të punojnë për t’i sqaruar hezitimet dhe vërejtjet e shteteve anëtare, por pa zbuluar se kush janë ato shtete.

“Negociatat vazhdojnë. Ne kemi marrë disa reagime përsëri në lidhje me propozimin, kështu që ka ende disa çështje që duhen sqaruar. Fatkeqësisht nuk mund të flas për shtetet anëtare konkrete dhe shqetësimet e tyre pasi kjo mund të ndikojë në përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur”.