Afër 25 vite burgim dhe gjobë ndaj të akuzuarve për transportim të drogës nga Maqedonia në Kosovë - Gazeta Express
string(97) "afer-25-vite-burgim-dhe-gjobe-ndaj-te-akuzuarve-per-transportim-te-droges-nga-maqedonia-ne-kosove"

Afër 25 vite burgim dhe gjobë ndaj të akuzuarve për transportim të drogës nga Maqedonia në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

30/11/2021 13:17

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Tair Semsiji, Arif Bekteshi, Sulltan Rashiti, Fidan Rashiti, dhe Ali Rrustemi, duke i dënuar me 24 vite e 6 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë.

Pesë të akuzuarit ngarkohen se duke vepruar në grup të udhëhequr nga i akuzuari Semsiji, kishin ndërmjetësuar dhe transportuar narkotikë të llojit marihuanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, për ta dërguar tutje në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE). Ndërsa, Bekteshi po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Lexo Edhe:

Sipas aktgjykimit të shpallur të martën nga gjykatësja Valbona Musliu- Selimaj, i akuzuari Semsiji është dënuar me 6 vite burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bekteshi është dënuar me 5 vite burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë për narkotik, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 8 muaj burgim. Si dënim unik, gjykata i ka shqiptuar 5 vite e 6 muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.

Gjykata, Sulltan Rashitin e ka dënuar me 5 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë, ndërsa Fidan Rashitin me 3 vite burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë.

Kurse, Ali Rrustemi është dënuar me 5 vite burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.

Krahas dënimeve të lartcekura, gjykata si dënim plotësues të akuzuarve ua ka konfiskuar përgjithmonë sendet e luajtshme si mjete që e kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe sendet, të cilat automatikisht i nënshtrohen konfiskimit të cilat gjësende janë sekuestruar sipas vendimit të kësaj gjykate.

Gjykatësja Musliu-Selimaj, ka njoftuar se të akuzuarve koha e kaluar në masën e paraburgimit do t’iu llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.

Të akuzuarit janë të obliguar po ashtu që të paguajnë secili veç e veç nga 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe nga 50 euro për fondin e viktimave të krimit.

Gjykata gjithashtu me aktvendim të veçantë, ua ka vazhduar masën e paraburgimit të akuzuarve Tair Semsiji, Arif Bekteshi, Sulltan Rashiti dhe Ali Rrustemi, ndërsa të akuzuarit Fidan Rashiti ia ka ndërprerë këtë masë.

Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, të akuzuarit ngarkoheshin edhe me veprën penale “Krim i organizuar”, mirëpo ndaj të njëjtëve, prokurorja Habibe Salihu, në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja për këtë vepër penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 maj 2021, Tahir Semsiji, Arif Bekteshi, Sulltan Rashiti, Fidan Rashiti dhe Ali Rrustemi po akuzohen për krim të organizuar në lidhshmëri edhe me veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

Por, pas rikualifikimit nga ana e prokurorisë, të njëjtit po ngarkohen vetëm me veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit gjatë vitit 2020, duke vepruar si grup i strukturuar i udhëhequr nga i akuzuari Tair Semsiji, kanë ndërmjetësuar dhe transportuar narkotikë të llojit marihuanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës (RKS) dhe anasjelltas, për ta dërguar tutje në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE).

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Sulltan dhe Fidan Rashiti kishin për detyrë të sjellin narkotikët në Kosovë dhe ta dorëzonin te i akuzuari Ali Rrustemi i cili kishte për t’u furnizuar me sasi të narkotikëve dhe për ta dërguar në vendet e BE-së.

Prokuroria pretendon se gjatë vitit 2020, të akuzuarit Rashiti ishin takuar me të akuzuarin Tair dhe një person tjetër të panjohur, në Shkup dhe i akuzuari Semsiji, ia kishte dhënë të akuzuarit Fidan çelësat e një veture të mbushur me substancë narkotike në sasi prej 47796.03,025 gram, me qëllim që përmes personit të paidentifikuar të dërgohet në shtëpinë e të akuzuarit Sulltan Rashiti që ta mbante deri të nesërmen ku pastaj i akuzuari Tair Semsiji kishte për t’ia dorëzuar të akuzuarit Ali Rrustemi me qëllim të transportimit në BE.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se të nesërmen më 12 dhjetor 2020, në oborrin e SHSKUK-së në Prishtinë, derisa të akuzuarit Fidan Rashiti dhe Tair Semsiji ishin duke e bartur narkotikun nga vetura që e ngiste i akuzuari Fidan tek vetura e të akuzuarit Ali, janë kapur në flagrancë dhe arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa i akuzuari Sulltan kishte qenë duke vëzhguar situatën nga distanca dhe me të vërejtur policinë ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa, sipas prokurorisë, i akuzuari Arif Bekteshi kishte rolin që duke bashkëvepruar me të akuzuarin Tair ti siguroj personat që do ta transportonin narkotikun, të negocionte me ta dhe tu jepte sugjerime si dhe ta vëzhgonin terrenin nga kishte me u bart sasia e caktuar e narkotikëve.

Prokuroria, Bekteshin po e ngarkon edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së, ashtu që sipas prokurorisë më 12 dhjetor 2020, në shtëpinë e tij në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë, i ishte gjetur dhe konfiskuar nga Policia e Kosovës një armë gjahu, dy tytëshe dhe 32 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. /BetimipërDrejtësi