AfD duket se po rrit kontaktet me kampin e Trumpit në SHBA. Mediat raportojnë për disa udhëtime të politikanëve të AfD-së në Uashington.
Politikania e AfD-së, Beatrix von Storch, është kryesisht e panjohur në politikën e jashtme gjermane – dhe ky fakt e bën takimin e saj në SHBA në shtator 2025 edhe më interesant. Në kryeqytetin e SHBA-së, Uashington, ajo u takua me përfaqësues të administratës amerikane, pra bashkëpunëtorë të Presidentit Donald Trump – në një ndërtesë brenda Shtëpisë së Bardhë. Von Storch dhe media të ndryshme gjermane raportuan për këtë takim.
Midis bashkëbiseduesve të saj ishin punonjës të zyrës së Zëvendëspresidentit të SHBA-së JD Vance, përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Von Storch shkroi në rrjete: “Shumë e hapur, konstruktive dhe me synime të qarta.”
Debat mbi lirinë e mendimit
Sipas Zëvendëskryetares së grupit parlamentar të AFD-së në Bundestag, tema kryesore e diskutimit ishte liria e mendimit. Pas vizitës së saj në SHBA, von Storch i tha stacionit radiofonik zviceran online Kontrafunk: “Ata janë të interesuar për kufizimet e lirisë së shprehjes dhe censurën në Gjermani.” Kontrafunk u themelua nga gazetari gjermano-zviceran Burkhard Müller-Ulrich, i cili është vetë anëtar i AfD-së.
Kjo është një temë që ekstremisti i krahut të djathtë AfD e ka trajtuar vazhdimisht për një kohë të gjatë. Ajo që partia kritikon si kufizime të lirisë së shprehjes janë shpesh vendime gjyqësore kundër politikanëve të partisë që kanë shkelur ligjet në fuqi. Për shembull, kryetari me ndikim i degës së AfD-së në shtetin e Thuringisë, Björn Höcke, u dënua me dy gjoba në vitin 2024 për përdorimin e sloganeve nga grupi paramilitar famëkeq i epokës nacionalsocialiste Sturmabteilung (SA) i Adolf Hitlerit në fjalimet e tij zgjedhore. AfD rregullisht i diskrediton vendime të tilla si të motivuara politikisht.
Kundër migracionit, kundër “woke”
Në takimin midis përfaqësuesve të administratës amerikane dhe vizitorëve nga Gjermania, fokusi kryesor ishte në politikën e brendshme gjermane – AfD padyshim pati mundësinë të promovonte në mënyrë aktive kauzën e saj.
“Ju e dini që partia AfD është kryesisht dakord me politikën qeveritare të Trump”, shpjegoi Von Storch në emisionin “Kontrafunk”. Kjo është veçanërisht e dukshme me temat e mëposhtme: “Kundër islamizimit, kundër migracionit, kundër Woke”.
Në fushatën parazgjedhorepër zgjedhjet federale në fillim të këtij viti, AfD ka marrë mbështetje të madhe nga SHBA-të. Në një fjalim të paharrueshëm nga Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai mbështeti bashkëpunimin e partive gjermane me AfD-në radikale të krahut të djathtë.
Në konferencën e partisë AfD, pak para zgjedhjeve federale në shkurt, bashkëpunëtori i ngushtë i Trump asokohe, multimiliarderi Elon Musk, iu bashkua thirrjeve për votimin e kësaj partie dhe biseda me Weidelu transmetua drejtpërdrejt në rrjetet e tij. Musk foli me entuziazëm për AfD-në dhe u tha votuesve gjermanë se, siç tha ai, vetëm AfD mund ta “shpëtojë” Gjermaninë.
Kontaktet me SHBA-në dhe promovimi i AfD-së
Politologu dhe eksperti i ekstremizmit të krahut të djathtë Armin Pfahl-Traughber është i kujdesshëm në lidhje me ndikimin e bisedimeve të tilla në marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Gjermanisë. Ai nuk pret që AfD të fitojë më shumë peshë në skenën politike: “Nuk mendoj se qeveria amerikane do t’i intensifikojë domosdoshmërisht këto kontakte në këtë pikë, sepse AfD nuk është ende një lojtar kyç në politikën gjermane”, shpjegoi Pfahl-Traughber në një intervistë me DW.
Megjithatë, këto kontakte kanë qenë të dobishme për AfD-në në politikën gjermane: “Ky afrim me administratën Trump në fakt do të thotë një përmirësim në statusin e kësaj partie”.
Brenda AfD-së, marrëdhënia me SHBA-në ka qenë prej kohësh një temë e diskutueshme. Ekstremistët e krahut të djathtë e shohin vendin si “vatër” të një shoqërie moderne të imigracionit. Dhe partitë si AfD fajësojnë migracionin për pothuajse të gjitha problemet sociale.
Shumë ideologë brenda partisë kanë flirtuar pak a shumë hapur me presidentin autoritar rus Vladimir Putin dhe politikat e tij të ashpra. Për shembull, goditja e lëvizjes LGBTQ të Rusisë nga Putini është pritur me miratim brenda AfD-së.
Politologu Armin Pfahl-Traughber e përshkruan afrimin në rritje të AfD-së me SHBA-në jo si afrim me vetë vendin, por me SHBA-në nën Donald Trump: “SHBA-ja e Trumpit ka ngjashmëri të dukshme me pikëpamjet e AfD-së.”
Trump dhe AfD: të bashkuar në pikëpamjen joliberale
Të dyja partitë ndajnë një pikëpamje thelbësisht joliberale për shoqërinë. Në këtë drejtim, liria e shprehjes vlen vetëm kur bëhet fjalë për lirinë e mendimit të dikujt. “Tani që ka kufizime në lirinë e medias në SHBA, nuk e kam dëgjuar vërtet udhëheqësen e AfD-së, Alice Weidel, të bëjë thirrje për ‘lirinë e fjalës'”, tha Pfahl-Traughber për DW.
“Por këto janë standardet e dyfishta të zakonshme, të cilat sigurisht nuk janë të rralla në këtë spektër.” Pas vizitës së Beatrix von Storch në Uashington, delegacioni i ardhshëm i AfD-së së shpejti do të udhëtojë përtej Atlantikut: në fillim të tetorit, anëtari i Bundestagut nga AfD-ja, Markus Frohnmaier, do të jetë në kryeqytetin e SHBA-së për ato që thuhet se janë bisedime politike. /DW