‘‘Afatet po rrjedhin’’, ‘‘Aktgjykimi është i qartë’’ – Çfarë u deklarua pas takimit të Osmanit me liderët - Gazeta Express
string(94) "afatet-po-rrjedhin-aktgjykimi-eshte-i-qarte-cfare-u-deklarua-pas-takimit-te-osmanit-me-lideret"

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 7:14

‘‘Afatet po rrjedhin’’, ‘‘Aktgjykimi është i qartë’’ – Çfarë u deklarua pas takimit të Osmanit me liderët

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 7:14

Gjatës ditës së djeshme, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, zhvilloi takime ndaras me liderët e partive kryesore politike, duke bërë përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga bllokada që tashmë po ndodh në kuvend. Këto takime shënuan edhe tentimin e dytët të Osmanit për gjetjen e një mundësie për zgjidhje të ngërçit. Kësisoj, ajo takoi të parin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, liderin e Lidhjes Demokratike Lumir Abdixhikun, si dhe, kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

I pari i këtyre, pra Kurti, pas takimit, mes takimit me presidenten ndër tjerash tha edhe se  “afatet po rrjedhin’’.

“I përmendëm të gjitha elementet përbërëse dhe tash zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësuesit e partive të tjera politike, e mbase në fund do të mund të shohim se a kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë. Unë besoj që duhet t’ua japim shansin edhe takimeve të tjera dhe në fund të shohim se cili është progresi për të cilin jemi të interesuar që të gjithë”, deklaroi ai.

Pas tij e pas takimit me Osmanin, ishte edhe Krasniqi ai që konfirmoi “gatishmërinë” e partisë së tij për të luajtur rolin e saj në gjetjen e një zgjidhje për krizën politike, “sidomos tani pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Përkundër plot 40 përpjekjeve, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ende ta konstituojnë institucionin ligjvënës.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Krasniqi nuk tregoi hollësi nga takimi duke folur për gazetarë pasi u largua nga presidenca, por tha se shpreson se këto konsulta të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes.

“Shpresojmë që takimet e tjera që i ka planifikuar presidentja të qartësojnë nëse ka apo jo një ndryshim të kryeneçësisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kurtit që po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, theksoi Krasniqi.

Pos tyre, edhe Abdixhiku, i përsëriti qëndrimet e njohura të partisë së tij dhe bëri thirrje për votim të hapur për kryeparlamentar.

“Kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë për çështjen e votimit. Para së gjithash, ai është i qartë sa i përket zgjidhjes së problemit, pra i takon partisë së parë, deputetit Kurti, të propozojë dhe të krijojë shumicën parlamentare”, tha ai.

Megjithatë, Abdixhiku tregoi se LDK nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj në lidhje me votimin, duke thënë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

“Partia e parë duhet të propozojë dhe sigurojë shumicën për kandidatin e vet. LDK-ja nuk ka çështje të emrave lidhur me kandidatin, LDK-ja ka qëndrim parimor dhe me plot zemër, me plot bindje dëshiron të votojë kundër kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje”, shtoi ai.

Ai tha se pret që zgjidhja të bëhet përmes “insistimit për shumicë politike” dhe përmes respektimit të procedurave kushtetuese, të cilat “tashmë janë edhe rregulla ligjore”.

“Le të presim takimet e tjera, ftojmë për konsensus, ftojmë për unitet, aq shumë e duam unitetin saqë kemi dalë me praponim për qeveri të unitetit”, tha ai.

Në fund, Osmani e priti në takim edhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se presidentja ka shqetësim se koha po mbaron shpejt për konstituimin e Kuvendit dhe se ajo u “interesua për qëndrimet tona dhe për mënyrën se si ne mendojmë se Kosova mund të dalë nga kjo bllokadë”.

“Kemi kërkuar të kthehet praktika e votimit që të votojmë dhe nëse kthehet praktika e votimit shpresojmë të votojmë. Shpresojmë se do ta gjejmë një rrugë si të kthehemi të votimi i hapur”, tha Haradinaj.