Këtë premte në Gjykatën Themelore në Prishtinë është bërë administrimi i provave materiale në rastin e vrasjes me thikë në Fushë Kosovë.
Në këtë rast, Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami akuzohen se kanë privuar nga jeta A.H., me ç’rast ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje, ndërsa Musliu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti tha se nga provat e administruara në këtë gjykim do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
Tutje, ai tha se nga analiza e telefonave shihet se ka pasur komunikim në mes të akuzuarëve para dhe pas vrasjes së viktimës.
“Nga analiza e video-incizimeve nga kamerat e sigurisë shihet ngjarja ku fillmisht sulmohet fizikisht viktima i cili tenton të ik që t’i shmanget konfliktit dhe më vonë shihet si shkojnë të akuzuarit në drejtim të viktimës në rrugë qorre e ku më pas është gjetur edhe trupi i pajetë i tani viktimës dhe se si të akuzuarit ikin nga vendi i ngjarjes”, ka thënë prokurori Hamiti.
Tutje, prokurori tha se nga të gjithë këto prova në mnëyrë të bindshme dhe të pakontestueshme vërtetohen elementet qenësore të veprës penale dhe se të akuzuarit kanë kryer veprat penale ashtu sic është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës.
Seanca kishte për të vazhduar me shikimin e video-incizimeve mirëpo për shkak numrit të madh të CD-së ishte e pamundur që të bëhet shikimi i video – incizimeve në mënyrë kronologjike ashtu si në raportin analitik.
Ndërsa, gjykatësi i rastit, Gent Beka obligoi palët që të bëjnë shiqimin e video – incizimeve dhe në seancën e ardhshme të deklarohen në lidhje me të njëjtat.
Ndryshe, më 5 shtator 2023 i akuzuari Musliu e kishte pranuar fajësinë, kurse i akuzuari Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm. Andaj, ndaj të akuzuarit Musliu ishte veçuar procedura, i cili ishte dënuar me 22 vite burgim, më 2 tetor 2023. Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të 6 shkurtit 2024.
Ndërsa, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit të 27 majit 2024 e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit për të akuzuarin Atdhe Musliu, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Në seancën e 20 qershorit 2024, ishte propozuar të bëhet bashkimi i procedurës penale ndaj dy të akuzuarve.
Andaj, më pas, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka kishte njoftuar se në këtë çështje penale është bërë bashkimi i procedurës penale ndaj të pandehurit Atdhe Musliu, për të cilin ka qenë duke u vazhduar procedurë e veçantë. Kështu, ndaj dy të pandehurve Labinot Bajrami dhe Atdhe Musliu procedura vazhdon si një.
Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H., i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim të privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.
Me këtë, Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi/