Adidas ka paralajmëruar se tarifat amerikane do t’i kushtojnë gjigantit gjerman të veshjeve sportive edhe 200 milionë euro të tjera dhe ka konfirmuar se do t’i rrisë çmimet për klientët amerikanë, raporton BBC.
Pothuajse gjysma e produkteve të kompanisë prodhohen në vende aziatike që kohët e fundit kanë nënshkruar marrëveshje tregtare me SHBA-në.
Duke shpallur rezultatet e fundit, shefi ekzekutiv i Adidas, Bjorn Gulden, tha se tarifat “do ta rrisin drejtpërdrejt koston e produkteve tona për SHBA-në”.
Ai pranoi se kompania ende nuk e di se çfarë ndikimi do të ketë mbi kërkesën e konsumatorëve “nëse të gjitha këto tarifa shkaktojnë inflacion të madh”.
Dy vendet kryesore të burimit për mallrat e Adidas janë Vietnami, që prodhon 27% të produkteve të markës sportive, dhe Indonezia, që prodhon 19%.
Më herët këtë muaj, SHBA-ja arriti marrëveshje tregtare me të dy vendet, duke rënë dakord të vendosë një tarifë prej 20% për mallrat nga Vietnami dhe 19% për produktet e prodhuara në Indonezi.
Kompanitë amerikane që importojnë produkte të Adidasit për t’i shitur në SHBA duhet ta paguajnë tarifën.
Gjiganti i veshjeve sportive, i cili prodhon atletet e njohura Gazelle dhe Samba, kishte paralajmëruar më parë se nuk mund t’i prodhojë shumicën e produkteve në SHBA.
Rivali i tij, Nike, në maj gjithashtu tha se do t’i rrisë çmimet për disa atlete dhe veshje për klientët amerikanë që nga qershori, dhe më vonë paralajmëroi se tarifat mund t’i shtonin rreth 1 miliard dollarë kostove të tij.
Shefi i Adidasit, Gulden, tha se tarifat amerikane tashmë kanë ndikuar në kompani, por shtoi se sinjalet e fundit tregojnë se tarifat do ta rrisin drejtpërdrejt “koston e produkteve tona për SHBA-në deri në 200 milionë euro gjatë pjesës së mbetur të vitit”.
Pavarësisht ndikimit të tarifave, Adidas raportoi një rritje prej 7.3% në shitje, duke arritur në 12.1 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit, me fitimin para taksave që u rrit nga 549 milionë euro në 1 miliard euro.
Shitjet e këpucëve u rritën me 9% në tremujorin e dytë të vitit, midis prillit dhe qershorit, ndërsa të ardhurat nga veshjet u rritën me 17%.
Trump vendosi tarifa më të larta për pothuajse të gjithë partnerët globalë tregtarë të SHBA-së për të inkurajuar më shumë kompani që të prodhojnë brenda vendit.
Më herët këtë javë, Trump nënshkroi një marrëveshje me Bashkimin Europian për të vendosur tarifa 15% mbi të gjitha importet, përfshirë veturat, përpara afatit të 1 gushtit.
Ai kishte kërcënuar më parë me një tarifë amerikane prej 30% mbi mallrat nga BE-ja.
Megjithatë, ndonëse taksa përfundimtare është më e ulët, ekonomitë kryesore të BE-së, përfshirë Gjermaninë, janë shprehur kundër marrëveshjes.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha se kjo do ta dëmtonte SHBA-në dhe do t’i shkaktonte “dëme të konsiderueshme” vendit të tij.
Të mërkurën, dy prej prodhuesve më të njohur të automjeteve nga Gjermania treguan se si tarifat amerikane kanë ndikuar në bizneset e tyre deri më tani.
Mercedes-Benz tha se tarifat, të cilat kompania pret t’i kushtojnë pothuajse 420 milionë euro këtë vit, ishin kryesisht shkaku i rënies së fitimit në tremujorin e dytë me gati 70%.
Marka tjetër e veturave luksoze, Porsche, tha se i ka rritur çmimet me deri në 3.6% për ta përballuar koston e taksave më të larta të importit.
Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar, Aston Martin paralajmëroi se fitimet e saj këtë vit do të jenë minimale për shkak të kësaj takse.
Më herët këtë muaj, Stellantis – që zotëron markat Vauxhall, Jeep dhe Peugeot – tha se tarifat tashmë i kishin kushtuar 300 milionë euro.
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...