Projekti për asimilimin politik të shqiptarëve ka filluar në vitin 2022 me marrëveshje ndërmjet dy partive më të mëdha maqedonase, ndërsa është dirigjuar nga oligarkia maqedonase, ndërsa ka filluar të implementohet nga qeveria e Hristijan Mickoksit. Kështu ka thënë nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi. Ai tha se qeveria e sotme nuk është një produkt i një procesi demokratik, por është rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë dhe anti-demokratike.
“Kjo marrëveshje kishte për qëllim de-faktorizimin e shqiptarëve dhe asimilimin e tyre politik, për t’i kthyer nga faktorë shtetformues në figurë simbolike brenda institucioneve. Ky projekt i errët synon të zhbënte fuqinë reale të shqiptarëve në politika shtetërore, të bënte të pavlefshme votën shqiptare dhe të anulonte legjitimitetin e përfaqësimit të tyre dhe pas zgjedhjeve parlamentare, ky plan filloi të implementohet në praktikë. Pasi populli shqiptar foli qartë me votë, lideri i VMRO-së zgjodhi të shkel mbi vullnetin e shqiptarëve, duke futur në qeveri humbësit politik të kampit shqiptar”, theksoi Ademi, sipas të cilit, ky ishte një akt i hapur mohimi i demokracisë dhe barazisë, një mesazh për çdo shqiptarë se vota e tyre nuk ka peshë dhe zëri i tyre nuk dëgjohet.
Ademi tha se kjo është shkelje e Marrëveshjes së Ohrit, dokument, i cili garanton instalimin e një demokracie funksionale. Shprehu shqetësim se pjesë e këtij plani u bënë edhe disa parti politike shqiptare.
“Në 16 muajt e fundit, kjo qeveri ka dëshmuar se është laboratori i implementimit të asimilimit politik. Faktori politik shqiptar është nxjerrë jashtë vendimmarrjes, i margjinalizuar në çdo segment të jetës publike, nga ekonomia te kultura, nga administrata te institucionet qendrore dhe aty ku shqiptarët mbajnë poste ato janë formale, pa fuqi reale politike. Kjo nuk është përfaqësim, ky është poshtërim institucional”, theksoi Ademi, ndërsa prezantoi edhe kandidatët e AKI-së për kryetar të Komunës së Butelit, Isamedin Azizin dhe Kumanovën, Selver Ajdini.
tag_katrorimaqedoni_2