Ademi: Ligji i Karakamishevës është regres i rrezikshëm dhe kthim brutal para vitit 2001 - Gazeta Express
string(87) "ademi-ligji-i-karakamisheves-eshte-regres-i-rrezikshem-dhe-kthim-brutal-para-vitit-2001"

Maqedoni

Gazeta Express

29/01/2026 17:56

Ademi: Ligji i Karakamishevës është regres i rrezikshëm dhe kthim brutal para vitit 2001

Maqedoni

Gazeta Express

29/01/2026 17:56

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj draft-ligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të ashtuquajturit “Ligji i Karakamishevës”, të hartuar nga VMRO-DPMNE dhe të mbështetur nga koalicioni VLEN.

Sipas Ademit, bëhet fjalë për një akt të pastër regresi politik dhe etnik, që përbën rrezik serioz për barazinë dhe për themelet e Marrëveshjes së Ohrit.

“Skandal mbi skandal. Kur mendon se kanë arritur fundin, ata gjejnë mënyrë të bien edhe më poshtë. Ky është një ligj për ta vajtuar, jo për ta votuar”, thekson Ademi.

Ai vlerëson se ligji në fjalë nuk garanton aspak përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por përkundrazi e deformon atë. Sipas tij, draft-ligji: nuk parasheh kuota etnike, duke e kthyer vendin në realitetin para vitit 2001, kur shqiptarët përbënin vetëm 0.2 për qind të administratës shtetërore; nuk obligon institucionet të evidentojnë përkatësinë etnike gjatë punësimeve dhe avancimeve, duke hapur rrugë për diskriminim të legalizuar; nuk përmban asnjë mekanizëm sanksionues, çka e bën ligjin të pazbatueshëm dhe pa peshë reale.

Ademi rikujton se për vite me radhë qytetarëve u ishte thënë se “balancuesi” do të përmirësohej dhe do të rregullohej me ligj, ndërkohë që ai tashmë ishte i sanksionuar ligjërisht. Në draftin aktual, sipas tij, nuk ekziston asnjë zgjidhje reale që e operacionalizon politikën afirmative të garantuar me Amendamentin VI të Kushtetutës.

“Kjo është kthim brutal pas, para vitit 2001. Pa maska dhe pa turp. Edhe atëherë ‘cilësia’ ishte kriter, por në emër të saj u realizua diskriminimi i pashembullt ndaj shqiptarëve”, deklaron Ademi, duke kujtuar stigmatizimin dhe përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet.

Ai e cilëson këtë ligj si alarm kombëtar dhe u bën thirrje shqiptarëve që të reagojnë.

“Ky është alarm për çdo shqiptar që nuk pranon të shndërrohet sërish në qytetar të dorës së dytë. Koha është tani që shqiptarët të distancohen qartë dhe publikisht nga kjo politikë e rrezikshme, regresive dhe thellësisht etnocentriste, e cila po e shkatërron barazinë dhe Marrëveshjen e Ohrit”, përfundon Ademi. (koha.mk)

Advertisement
Advertisement
Advertisement