Ademi dhe Salihu e mohojnë se u përleshën fizikisht, por konfirmojnë mospajtimet dhe tonet e larta mes vete - Gazeta Express
string(106) "ademi-dhe-salihu-e-mohojne-se-u-perleshen-fizikisht-por-konfirmojne-mospajtimet-dhe-tonet-e-larta-mes-vete"

Futboll

Gazeta Express

28/02/2021 20:26

Ademi dhe Salihu e mohojnë se u përleshën fizikisht, por konfirmojnë mospajtimet dhe tonet e larta mes vete

Futboll

Gazeta Express

28/02/2021 20:26

Shefi i shtëpisë së futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, e kanë mohuar se janë rrahur mes vete, në një letër të përbashkët publike, në të cilën, megjithatë, duket sikur e pranojnë se shpesh kanë mospajtime dhe argumente me tone të larta brenda institucionit të tyre.

Gjatë javës u raportua në media se Ademi dhe sekretari i tij Salihu ishin përfshirë në një përleshje fizike që kishte ardhur si pasojë e akuzave të sekretarit në drejtim të kryetarit, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Gazetës Metro kishte raportuar se “konflikti filloi kur sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, shpërtheu me akuza të rënda në drejtim të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, duke e quajtur dallavërgji, hajn dhe kriminel.”

“Pas këtyre akuzave, Agim Ademi nuk ka ndenjur indiferent, i cili menjëherë e ka sulmuar fizikisht Eroll Salihun, e që është dashur ndërhyrja e stafit të FFK-së për të qetësuar gjakrat.”

Gazeta Express kishte bërë përpjekje ta kontaktojë Eroll Salihun por nuk kishte pasur sukses.

Megjithatë, Ademi dhe Salihu kanë reaguar përmes një letre të publikuar në uebfaqen e Federatës së Futbollit të Kosovës të dielën mbrëma.

“Ditën e djeshme në njërin nga portalet vendore u publikua një artikull me titull ‘Plas grushti: Agim Ademi dhe Eroll Salihu rrahën mes vete në zyrat e FFK-së’. Nuk e kishim ndërmend që t’i reagonim fare këtij portali, pasi synimi i tij i vazhdueshëm ka qenë të faktorizohet pikërisht me lajme të rreme dhe negative në raport me FFK-në, por fakti që opinioni dhe dashamirët tanë të shumtë u shqetësuan nga një artikull i tillë, e i cili u plasua edhe në disa portale tjera, na bëri që të sqarojmë opinionin si vijon: Ju bëjmë me dije se në Federatë nuk ka ndodhur asnjë përplasje. Ne ishim njëri në vizitë pune në Gjermani, e tjetri në pushim me familjen. Sa i përket gjoja se ka plasur grushti ndërmjet nesh, ajo jo që nuk ka ndodhur, por nuk do të ndodhë asnjëherë”, thuhet në reagimin e nënshkruar nga Ademi dhe Salihu.

Ata duket sikur e konfirmojnë se mes tyre ka mospajtime: “Ne, mund të kemi debate ndërmjet veti dhe shpesh kemi pasur edhe mendime ndryshe, por gjithmonë mospajtimet tona janë zgjidhur brenda institucionit, ku çdo herë jepet dhe dëgjohet mendimi i gjithsecilit dhe në fund nxirret solucioni më i mirë. Mund të ndodhë që debatet tona ndonjëherë të jenë edhe më tone më të larta, por ato thjesht janë pjesë e punës së përditshme dhe asnjëherë nuk vijnë në shprehje ofendimet apo gjërat që janë munduar të na i mveshin.”

Tutje, në reagimin e tyre thuhet: “Përveç se jemi në pozicionet drejtuese të FFK-së, si kryetar dhe sekretar i përgjithshëm, ka 15 vjet e më shumë që punojmë bashkërisht për futbollin dhe mbi të gjitha jemi shokë. Prandaj, shkrimet për përplasje fizike janë absurde dhe rrena që i sajon një portal, i cili gjithmonë në raport me FFK-në nxjerr vetëm të pavërteta dhe gjëra negative.” /Gazeta Express/