Adami dhe Eva t'ramë në Syriganë t'Drenicës. Operë në 5 akte e Petrit Halilaj - Gazeta Express
string(74) "adami-dhe-eva-trame-ne-syrigane-tdrenices-opere-ne-5-akte-e-petrit-halilaj"

Arte

Gazeta Express

26/06/2025 17:34

Adami dhe Eva t’ramë në Syriganë t’Drenicës. Operë në 5 akte e Petrit Halilaj

Arte

Gazeta Express

26/06/2025 17:34

Artisti Petrit Halilaj vazhdon me performanca bazume në mythos e pathos të rranjosuna në hulumtimet e tija të miteve të katuneve të Drenicës, kombinume me rrëfime të dashnisë.

Për Petrit Halilaj kemi shkru herën e fundit rreth projektit të renovimit të Shpisë së Kulturës në vendlindjen e tij në Runik. Para do vjetëve, Petriti mu në këtë hapësinë të shkatërrume që prej 1990-ave, por që hala mbahet në mend si pikë e kulturës e kësaj zone rurale, e pat mbajt shfaqjen ‘Shkrepëtima’, një performans surealist që reflektonte dashninë e Petritit për vendlindje po aq sa edhe fascinimin e tij me arkeologji e art neolitik.

Tash Petriti po vjen me një shfaqje tjetër, ndoshta ma kompleksen deri tash, sepse fjala osht për një operë. Po, po – operë në pesë akte me titull eponim me katundin Syriganë.

Opera, e realizume në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, dhe me mbështetjen e super galerive ndërkombëtare Chert Lüdde, Mennour dhe Kurimanzutto, osht kompozimi i parë operistik nga Halilaj, që tashmë o bo i njohun për ndërthurjen e artit konceptual me narracione intime, shpesh të ngulituna në realitetin kompleks të viteve shkatërruese të luftës në Kosovë, kombinume me historinë e vjetër biblike dhe përralla të moçme të Drenicës. Kësaj radhe, ai sjell një rrëfim tjetër që buron nga historia orale e zonës mbi Adamin e Evën (apo Ademin dhe Havën) dhe ramjën e tyne në Syriganë. Aty ka edhe alegori të paprituna, referenca të reja e të vjetra, histori dashnie mes një dhelpre dhe një gjeli (Petriti i rrin besnik pulave dhe elementeve absurdiste), të vendosun në një vend të stërmbushur me jetë — Syriganë. Krejt koj mbështjellun vizuelisht me synin unik artistik të Petritit.

Libreti është një bashkëpunim mes Halilajt, Amy Zion dhe dramaturges së njohun kosovare Doruntina Basha, ndërsa muzika origjinale është kompozume nga Lugh O’Neill, me zana të tillë si sopranoja Nina Guo, koreografi nga Robert Schulz, dhe dirigjimi nga Gregory Charette. Skenografia, e ndërtume mbi platforma traktorësh, ka eko të punës me shpinë e kulturës së Runikut sepse rikujton trupat udhëtuese të teatrove të fshatrave të viteve ’70, por me një ndjeshmëri kontemporane që vetëm Halilaj mundet me bo.

Opera ka mu shfaq në Gjytet, shkambin parahistorik mbi Syriganë që me hesap ka qenë edhe kështjellë romake, historia e plotë e së cilës osht e humbun dikah në mjegullën e historisë. Gjyteti bahet pikë referimi jo vetëm gjeografike por edhe metafizike në këtë shfaqje – një gur kujtese që e lidh të kalumen me të sotshmen, mythos dhe pathos, tregimet e katundeve me artin botnor. Edhe si gjithmonë me Petritin, krejt kjo osht ka bohet me pjesëmarrjen aktive të banorëve lokalë sepse kjo operë nuk e “portretizon” komunitetin me terma të ekzoticizmit – ajo po përçon rrëfime primordiale që kapërcejnë njerëz e epoka, libra të shenjtë e studime arkeologjike, koncepte historike dhe kodifikim kontemporan artistik.

Ngjarja ka mu shfaq veç për një mbramje edhe hala pa e pa, mujm me thanë se përfaqëson një kthesë domethënëse në historinë e re të artit skenik në Kosovë, dhe njëherësh mundet mu bo një model për mënyrën se si arti bashkëkohor mundet me gjeneru rrëfime që i përkasin edhe vendit, edhe botës njëkohësisht, për me i ik grackës së binomit orientalizëm/oksidentalizëm apo fascinimit të lodhshëm me The Other.