Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.
Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, në përgjigjen dhënë për Gazetën Express.
I njëjti tha se takimi ka qenë i zakonshëm.
‘‘Po, një dreke pune, takim i zakonshëm’’, tha Mustafa.
Ky takim i Abdixhikut me Prattipatin, zhvillohet pak ditë pas vizitës së realizuar në Kosovë, të zyrtarit të lartë amerikan të Byrosë për çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan.
Ky i fundit, gjatë qëndrimit të tij takoi krerët e partive politike, me përjashtim të Abdixhikut, pasi që ky i fundit kishte udhëtim jashtë Kosovës. Në vend të tij, me Hanrahan, u takua deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami.
Ndërsa sot, për të 47-ën herë ka dështoi konstituimi i Kuvendit. Vazhdimi i radhës i seancës do të mbahet pas dy ditësh. /GazetaExpress