Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, debatoi me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, në Kuvend në një seancë që është thirrur për rritjen e çmimeve të naftës.
Abdixhiku tha se përfitues nga çmimet tavan – një masë e marrë nga Qeveria pas krizës me rritjen e çmimeve të naftës – janë bizneset.
Këtu Kusari-Lila i kërkoi emra se cilat janë kompanitë që përfitojnë nga Ministria, duke i thënë se po spekulon.
“Nëse vjen me akuzën e rëndë se kompanitë i mbrojmë nga Ministria jonë, të lutem referoju saktë, me emër e mbiemër dhe cilat janë kompanitë që përfitojnë. Thuaje publikisht, kushdo qoftë, cilido emër. S’ju takon të bëni spekulime nga foltorja e Kuvendit. Kush janë kompanitë që i mbrojmë? Dilni dhe tregoni qytetarëve!”.
Pastaj fjalën e mori Abdixhiku për replikë, i cili tha se mund të japë emra, por se fjalimi i tij ishte për gjithë sektorin e biznesit të naftës.
“As s’përmendem emra, mund të përmendim emra. Thamë: e vetmja gjë që mbetet e garantuar në rrethanat e tanishme është fitimi i bizneseve i garantuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe këtë e ke në përshkrim të punës me çmimet tavan që i vendosni çdo ditë. Në momentin që e vendos çmimin tavan e garanton fitimin për biznesin, për të gjithë sektorin. Prandaj, ose s’po dëgjoni mirë ose po jeni të mllefosur shumë, por dëgjoni çka fola. Thashë garantuar bizneset në sektorin e naftës e kanë vetëm fitimin. Luftërat nisin e përfundojnë, një gjë, kur ka çmim tavan, është fitimi i biznesit”.
Nga ulësja e saj reagoi ministrja Kusari-Lila.
“S’ka problem e zbresim në gjashtë centë”, tha ajo.
Ndërkaq, Abdixhiku tha se e mirëpresin nëse e ulin.
“Shumë mirë. Ministrja sapo tha do ta ulim çmimin e naftës në gjashtë centë. Ju lutem, uleni! Jo vetëm gjashtë edhe më shumë. Çdo cent që e ulni, i bëni mirë qytetarëve të Kosovës”. /Express/