Abdixhiku: Të qëndrosh kundër kësaj qeverie do thotë mbrojtje e shtetit nga tundimi i pushtetit - Gazeta Express
string(94) "abdixhiku-teqendrosh-kunder-ketij-pushteti-do-thote-mbrojtje-e-shtetit-nga-tundimi-i-pushtetit"

Lajme

Gazeta Express

11/02/2026 22:15

Abdixhiku: Të qëndrosh kundër kësaj qeverie do thotë mbrojtje e shtetit nga tundimi i pushtetit

Lajme

Gazeta Express

11/02/2026 22:15

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur fjalim në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria e Albin Kurtit ka pasur shumë fjalë, e pak punë, duke i quajtur vite të zymta.

Tutje, ka thënë se LDK nuk do të bëjë kompromise në shkeljen e Kushtetutës, kapjen e shëtit, ndërhyrje në drejtësi, etj.

Fjalimi i Lumir Abdixhiut:

Të nderuar deputetë,

Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Në fillim, më lejoni ta uroj Kryetaren e Kuvendit për detyrën që ka marrë sot. Ky nuk është një rol i zakonshëm institucional, por një përgjegjësi e thellë politike dhe morale, sepse drejtimi i Kuvendit nuk matet vetëm me korrektësi procedurale, por me aftësinë për ta ruajtur barazinë e zërave, dinjitetin e debatit dhe masën e pushtetit në një vend që e njeh mirë se sa e brishtë bëhet demokracia kur institucionet humbin ekuilibrin e tyre.

Uroj që kjo detyrë të ushtrohet me pjekuri, me durim dhe me vetëdije për rolin që Kuvendi ka në jetën demokratike të Kosovës – si shtëpi e përbashkët e përfaqësimit politik dhe si garanci që asnjë shumicë, sado e fuqishme të jetë, të mos e harrojë se pushteti është i përkohshëm, ndërsa institucioni është i përhershëm.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh gatishmërinë e saj për bashkëpunim institucional në Parlament dhe për tema që e tejkalojnë aritmetikën parlamentare, sepse besojmë se stabiliteti i shtetit dhe besimi i qytetarëve ndërtohen me maturi, me respekt për opozitën dhe me vetëdije se demokracia nuk është vetëm çështje numrash, por çështje kulture politike.

Të dashur qytetarë,

Sot, në këtë sallë, vullneti juaj merr formë institucionale. Ai pushon së qeni vetëm shprehje e votës dhe shndërrohet në mandat politik, në përgjegjësi shtetërore dhe në detyrim moral për secilin prej nesh.

Ky është momenti kur fjala e qytetarëve bëhet barrë përfaqësimi dhe kur politika duhet të ndalë së foluri për veten dhe të nisë të flasë për qytetarët dhe për sfidat që i presin.

Dhe këto sfida janë të shumta. Ato nuk presin. Uroj të keni zgjedhur drejt; ne jemi të bindur se jo. Por verdikti juaj tani duhet të japë rezultate – për ju, jo për fitoret apo humbjet tona këtu.

Vullneti qytetar ka folur qartë. Ka ndarë role dhe përgjegjësi. Dhe ky vullnet e ka vendosur Lidhjen Demokratike të Kosovës në opozitë.

Ne e pranojmë këtë rol pa hezitim dhe pa justifikime, sepse respekti për votën është themeli i çdo demokracie serioze.

Por opozita, në kuptimin më të thellë të fjalës, nuk është mungesë përgjegjësie. Aq më pak dorëzim. Ajo është gjendje e bindjes kur numrat nuk e masin të drejtën dhe kur shumica nuk e zëvendëson arsyen.

Sepse ka momente kur e vërteta qëndron në pakicë dhe megjithatë mbetet e drejtë – jo për shkak të zërit që ka sot, por për shkak të kohës që e vërteton nesër.

Numrat ndryshojnë. Mandatet kalojnë. Pushtetet vijnë e shkojnë. Por bindjet që mbështeten në parime nuk plaken dhe nuk treten. Ato nuk kërkojnë shumicë të menjëhershme, sepse historia u jep të drejtë atyre që dinë të qëndrojnë edhe kur janë pak, edhe kur janë vetëm, edhe kur janë kundër frymës e shumicës.

Dhe për këtë arsye, ne qëndrojmë. Jo sepse jemi në rol, por sepse besojmë se e drejta nuk humb vlerë kur mbetet në pakicë – ajo vetëm pret kohën e saj.

Dhe sot lind nevoja për të qëndruar fort. Jo përballë një qeverie të zakonshme, por përballë një pushteti që ka gjithçka: numrat, institucionet, mjetet dhe kohën, e mbi të gjitha përvojën e zymtë të pesë viteve te shkuara, me fjalë shumë e pak rezultate.

Të qëndrosh përballë këtij pushteti nuk do të thotë kundërshtim i verbër për hir të kundërshtimit. Do të thotë mbrojtje e shtetit nga tundimi i pushtetit për të mos pasur kufij. Do të thotë ruajtje e hapësirës ku fjala e lirë thuhet pa frikë dhe ku shteti nuk shndërrohet në zgjatim të një force të vetme politike që shtyp gjithçka tjetër në demokraci.

Në këtë kuptim, të qëndrosh përballë pushtetit që ka gjithçka është mënyra e vetme për ta ruajtur atë që nuk duhet ta ketë askush i vetëm: fatin e Kosovës.

E ky fat kërkon qëndrime të pakompromis nga ne. Dhe LDK ka pesë qëndrime të pakompromista në këtë legjislaturë.

Duhet të jemi të pakompromis me kapjen e shtetit: me çdo përpjekje për ta nënshtruar institucionin ndaj partisë, me çdo zëvendësim të profesionalizmit me bindje partiake dhe me çdo ndërhyrje në drejtësi. Këto nuk janë gabime teknike; janë rreziqe shtetërore përballë të cilave LDK duhet dhe do të qëndrojë pa kompromis.

Duhet të jemi të pakompromis me korrupsionin, sepse ai nuk e varfëron vetëm buxhetin, por e gërryen besimin. Dhe një shoqëri që humb besimin te shteti i vet fillon të largohet prej tij, në mendje, në shpirt dhe, shpesh, edhe fizikisht.

Duhet të jemi të pakompromis me rendin kushtetues, sepse Kushtetuta nuk është tekst për nevojat e ditës, por kontrata që mban Kosovën të bashkuar. Shkeljet e Kushtetutës janë shkelje të gjithçkaje për të cilën ne ekzistojmë. Kur nuk e mbrojmë thelbin e besimit tonë politik, nuk kemi pse të ekzistojmë. Prandaj do ta mbrojmë Kushtetutën.

Duhet të jemi të pakompromis, në veçanti, me orientimin ndërkombëtar të Kosovës, sepse ky shtet nuk e ka luksin e paqartësisë strategjike. Kosova është ndërtuar mbi aleanca, mbi besim dhe mbi një drejtim të qartë politik që nuk ka qenë as rastësi, as kompromis i momentit, por zgjedhje historike.

Çdo lëkundje në këtë drejtim, çdo sinjal i paqartë ndaj partnerëve tanë dhe çdo tentim për ta relativizuar rrugën euroatlantike, nuk është manovër politike e brendshme, është rrezik për pozitën ndërkombëtare të vendit. Besueshmëria ndërtohet me vite, ndërsa humbet shpejt; dhe një shtet i vogël, si Kosova, nuk e përballon dot luksin e gabimeve strategjike.

Prandaj, orientimi ndërkombëtar i Kosovës nuk është temë për kalkulime të ditës apo për retorikë të brendshme. Ai është vijë e kuqe shtetërore, e cila duhet mbrojtur me përgjegjësi, me maturi dhe me qëndrueshmëri.

Natyrisht, duhet të jemi të pakompromis edhe me veten, me standardin tonë. Sepse opozita që kërkon standard, duhet së pari ta mishërojë atë. LDK do ta mishërojë atë.

Për fund, dua t’u drejtohem në veçanti mbështetësve tanë – atyre që ndanë me ne më të shtrenjtën e tyre: besimin.

Ju nuk na keni besuar sepse ishte e lehtë. Na keni besuar sepse besoni se politika duhet të ketë fytyrë njerëzore, se shteti duhet të ketë ndërgjegje dhe se pushteti duhet të ketë kufij.

Ne e dimë që keni kaluar zhgënjime. E dimë që keni pritur më shumë. Do ta arrijmë qëllimin e përbashkët një ditë.

Deri atëherë, ne do t’ju përfaqësojmë me dinjitet, sepse kjo është detyra jonë – jo sepse është e lehtë, por sepse është e drejtë. Do të punojmë që zëri juaj të dëgjohet, që demokracia të mos shndërrohet në formalitet dhe që shpresa të mos bëhet fjalë e zbrazët.

E dimë barrën e peshës që bartim. LDK nuk është parti e ditës. Është parti e kohës, e durimit, e qëndrimit, e atyre që nuk dorëzohen kur rruga bëhet e vështirë. Dhe pikërisht këto momente – kur nuk jemi shumicë – janë momentet që na përkufizojnë.

Ne do të jemi këtu.

Për demokracinë.

Për qytetarin.

Për shtetin.

Ju faleminderit.

Advertisement
Advertisement
Advertisement