Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka konstatuar se ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe ministrit njëkohësisht është joligjor dhe përbën vepër penale.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka kujtuar se LDK kishte dorëzuar 17 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale për këtë çështje, por sipas tij, Prokuroria kishte kërkuar argumente shtesë. Ai ka bërë të ditur se nesër, LDK do ta dorëzojë zyrtarisht këtë vendim të formës së prerë në Prokurori, duke e konsideruar atë si dëshmi shtesë dhe thirrje për veprim institucional.
“Ky shtet dhe kjo shoqëri i paguan, i mirëmban dhe, mbi të gjitha, u beson mbrojtjen e ligjit. Le të ketë drejtësi për të gjithë,” ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se ka informuar edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it lidhur me këtë zhvillim.
Ai ka theksuar se LDK pret mbështetje ndërkombëtare për mbrojtjen e demokracisë dhe ligjshmërisë në Kosovë, ndërsa ka nënvizuar se nga ata që nuk dinë nëse janë ministra apo deputetë nuk pret asgjë, por nga Prokuroria pret veprim konkret.