Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shkruar për dy skandalet e fundit, siç i ka quajtur ai, amnistimin e Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci dhe rehabilitimin e Oliver Ivanoviqit, politikanit serb që u vra para pesë vjetësh.
Abdixhiku tha se janë ende në pritje të veprimeve nga ana e Qeverisë.
“A është ky ndryshimi për të cilin Kosova ka patur nevojë? Që të amnistohen të korruptuarit vetem sepse kanë lidhje me pushtet, e të rehabilitohen kriminelët e luftës e pasluftës sepse tani janë në pushtet. Çfarë i bën të ndryshëm këta popullistë nga e mbrapshtja që kishte ngufatur këtë vend?”, ka pyetur kreu i LDK-së.
Ai tha se do të vazhdojnë të kërkojnë shkarkimin e Martin Berishajt dhe kërkimfalje nga kryeministri Albin Kurti për rehabilitimin e Oliver Ivanoviqit.
Postimi i Lumir Abdixhikut:
Amnistues të Martin Berishaj.
Rehabilitues të Oliver Ivanoviq.
Ende në pritje të veprimeve.
A është ky ndryshimi për të cilin Kosova ka patur nevojë? Që të amnistohen të korruptuarit vetem sepse kanë lidhje me pushtet, e të rehabilitohen kriminelët e luftës e pasluftës sepse tani janë në pushtet. Çfarë i bën të ndryshëm këta popullistë nga e mbrapshtja që kishte ngufatur këtë vend?
Skandalet si këto s’mund të kalohen në heshtje. Ato s’mund të mbyten as nga zhurma e paaftësisë së pushtetit. Do të vazhdojmë të kërkojmë shkarkim për të parin e kërkimfalje për lartnimin e dhimbshëm të të fundit.
Kosova meriton më mirë; Kosova mundet më shumë!