Kreu i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka nisur një cikël takimesh me strukturat dhe mbështetësit e partisë në terren, duke theksuar nevojën për rikthim te baza dhe forcim të unitetit brenda subjektit politik.
Përmes një postimi nw Facebook, Abdixhiku njoftoi se ndalesa e parë e këtij cikli ishte në Viti, ku tha se ka zhvilluar diskutime të hapura me anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së.
Sipas tij, mesazhet që ka marrë nga baza janë të qarta dhe të njëjta kudo: kërkesa për bashkim dhe ringritje të partisë.
“Fola hapur dhe mora mesazhe të qarta nga mbështetësit tanë. Shqetësimet, pritjet dhe kërkesa për bashkim janë të njëjta kudo; dhe janë më të forta se kurrë”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Në të njëjtin postim, ai ka ndarë edhe një video nga vizita në Viti, ku shfaqen momente nga takimi me strukturat lokale dhe diskutimet me qytetarët.