Abdixhiku kujton Nekibe Kelmendin në 14-vjetorin e vdekjes: Veprimtare e madhe, s'e ndali kurrë betejën për liri, demokraci dhe drejtësi - Gazeta Express
string(132) "abdixhiku-kujton-nekibe-kelmendin-ne-14-vjetorin-e-vdekjes-veprimtare-e-madhe-se-ndali-kurre-betejen-per-liri-demokraci-dhe-drejtesi"

Lajme

Gazeta Express

19/06/2025 9:23

Abdixhiku kujton Nekibe Kelmendin në 14-vjetorin e vdekjes: Veprimtare e madhe, s’e ndali kurrë betejën për liri, demokraci dhe drejtësi

Lajme

Gazeta Express

19/06/2025 9:23

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në përvjetorin e katërmbëdhjetë të ndarjes nga jeta, kujtoi Nekibe Kelmendin, të cilën e cilësoi “veprimtare të madhe të Kosovës”.

“Sot përkujtojmë me nderim e mirënjohje të thellë gruan që nuk u mposht kurrë, as nga dhimbja më e rëndë, as nga padrejtësia më e egër. Nekibe Kelmendi nuk ishte thjesht politikane, as vetëm ministre apo deputete. Ajo ishte zëri i së drejtës në kohët kur padrejtësia sundonte, ishte forca e arsyes kur gjithçka rreth nesh përpiqej të shuhej nga terrori. Ajo ishte nënë, bashkëshorte, por mbi të gjitha bija e përkushtuar e Kosovës që nuk e ndali kurrë betejën për liri, demokraci dhe drejtësi. Pra sot, kujtojmë politikanen Nekibe Kelmendi, Ministren e Drejtësisë, deputeten e Kuvendit të Kosovës, nënkryetaren e LDK-së, e veprimtaren e madhe të Kosovës”, tha Abdixhiku.

“Nekibe Kelmendi hyri herët në lëvizjen e rezistencës, si veprimtare e aktiviste e palodhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe luftëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ajo la gjurmë të pashlyeshme si veprimtare e paepur e çështjes kombëtare, aktiviste politike, avokate, deputete e ministre e drejtësisë”, shtoi ai.

Abdixhiku kujtoi se Kelmendi “në zemrën e saj mbante dhimbje që pak kush do mund ta përballonte, humbjen e bashkëshortit të saj, Bajramit, dhe dy djemve të tyre, Kastriotit dhe Kushtrimit, të vrarë mizorisht nga regjimi i egër i Milosheviqit”.

“Por ajo, në vend që të thyhej, u ngrit. Dhimbjen e ktheu në forcë, plagën në ideal, dhe jetën e saj në një betejë të përditshme për ndërtimin e një shteti të lirë dhe të drejtë. Pra, me gjithë plagët shpirtërore, mbi dhimbjen e saj projektoi dhe idealin për pavarësi e demokraci, duke e vazhduar kauzën e shtetndërtimit edhe më fuqishëm”, shkroi ai.

Kryetari i LDK-së shkroi se “Nekibe Kelmendi ishte dhe mbeti bashkëpunëtore e palëkundur e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, në rrugëtimin e ndërtimit të shtetit të Kosovës”.

“Në çdo hap, ajo la pas vlera, guxim dhe dinjitet. Në këtë përvjetor e çdoherë kur kujtojmë jetën dhe veprën e saj na shfaqet modeli i gruas që frymëzoi gjeneratat pas saj, se ideali i lirisë ka çmimin e jetës. Lavdi përjetë jetës, veprës dhe sakrificës së Nekibe Kelmendit!”.