ABC pezullon emisionin e Jimmy Kimmel për shkak të deklaratave rreth vrasjes së Charlie Kirk - Gazeta Express
string(92) "abc-pezullon-emisionin-e-jimmy-kimmel-per-shkak-te-deklaratave-rreth-vrasjes-se-charlie-kirk"

Lajme

Gazeta Express

18/09/2025 10:35

ABC pezullon emisionin e Jimmy Kimmel për shkak të deklaratave rreth vrasjes së Charlie Kirk

Lajme

Gazeta Express

18/09/2025 10:35

Rrjeti televiziv amerikan, ABC, ka pezulluar emisionin e Jimmy Kimmel për një afat të pacaktuar, pas deklaratave që ai bëri lidhur me vrasjen e aktivistit konservator, Charlie Kirk. Pas deklaratave, një grup stacionesh të lidhura me ABC thanë se nuk do të transmetonin emisionin.

Kimmel bëri disa deklarata lidhur me reagimet ndaj vrasjes së aktivistit konservator javën e kaluar gjatë emisionit “Jimmy Kimmel Live” të hënën dhe të martën, përfshirë edhe deklaratën se “shumë njerëz në botën MAGA [Bëje Amerikën Sërish Madhështore] po punojë shumë për të përfituar nga vrasja e Charlie Kirk”.

ABC, që ka transmetuar emisionin e Kimmelit që nga viti 2003, mori vendimin pasi Grupi Nextar Communications tha se do të ndalte transmetimin e emisionit duke nisur nga e mërkura.

Deklaratat e Kimmelit për vdekjen e Kirk “janë fyese, të pandjeshme dhe janë bërë në një moment kritik të diskutimit tonë politik kombëtar”, tha Andrew Alford, president i divizionit të transmetimeve në Nexter.

Nexter operon me 23 stacione të lidhura me ABC.

KImmel ende nuk ka reaguar, kontrata e të cilit me ABC përfundon në maj të vitit 2026. Ndërkaq, në njoftimin e ABC-së nuk u përmendën arsye se pse u ndalua emisioni.

Presidenti amerikan, Donald Trump, mirëpriti vendimin dhe shkroi në Truth Social: “Urime ABC që më në fund pati kurajë të bëjë atë që duhej bërë”.

Ndërkaq, kreu i Komisionit Federal të Komunikimit të Shteteve të Bashkuara, Brendan Carr, tha para këtij vendimi se deklaratat e Kimmelit ishin “të neveritshme” dhe shtoi se agjencia ka një rast të fortë për të mbajtur Kimmelin, ABC dhe rrjetin partner, Walt Disney Co., përgjegjës për përhapje të dezinformatave. Ai tha se Kimmel dukej se po bënte përpjekje të qëllimshme për të mashtruar publikun lidhur me vrasjen e aktivistit Kirk, mbështetës i Trumpit.

Gjatë monologut të hënën mbrëma, Kimmel sugjeroi se dorasi i dyshuar i Kirkut, Tyler Robinson, mund të ketë qenë pro Trumpit. “Banda MAGA me dëshpërim po tenton ta paraqesë këtë person që e vrau Charlie Kirk si diçka tjetër përveç se njëri prej tyre dhe po bën gjithçka për të fituar poenë politik nga kjo ngjarje”, tha Kimmel.

“Kjo është çështje shumë serioze për Disney”, tha Carr. “Këto kompani mund të gjejnë mënyra për të ndërmarrë veprime ndaj Kimmel ose agjencia do të ndërmarrë masa”.

Autoritetet thonë se sulmuesi i dyshuar u rrit në një familje konservatore në Utah, por ishte përfshirë “në ideologji të majtë”. Prindërit e tij u kanë thënë hetuesve se ai ndryshoi ideologjinë politike vitin e kaluar dhe mbështeti të drejtat e komunitetit LGBTQ. Ai i kishte thënë partnerit të tij transgjinor se e kishte vrarë Kirkun sepse “nuk mund ta durojë më urrejtjen e tij”.

Përveç emisionit të Jimmy Kimmel, edhe CBS verën e kaluar ndërpreu emisionin e Stephen Colbert për arsye financiare. Por, disa kritikë kanë thënë se Trump mund të ketë pasur rol në këtë vendim. Colbert dhe Kimmel kanë pasur në shënjestër Trumpin gjatë emisioneve të tyre.

Ngjashëm, Trump i ishte gëzuar ndërprerjes së emisionit të Colbertit. /REL/